Pavarësisht se është një sektor me ndjeshmëri të lartë dhe që kërkon vëmendje të shtuar për shkak të problematikave të vazhdueshme që e shoqërojnë, siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit do të lihet “pas dore” edhe vitin e ardhshëm nga pikëpamja e financimit. Referuar projektbuxhetit për vitin 2019, i cili është miratuar në Komisione Parlamentare dhe do të votohet në seancë më datën 3 Dhjetor, për sigurinë ushqimore janë akorduar rreth 1.6 miliardë lekë.
Ndërsa në total, buxheti i Ministrisë së Bujqësisë është 10.8 miliardë lekë, me një rritje modeste fondesh me 300 milionë lekë krahasuar me buxhetin e vitit aktual. Por si kanë ndryshuar fondet për sigurinë ushqimore ndër vite? Krahasuar me vitin 2018, sigurisë ushqimore i janë shkurtuar plot 700 milionë lekë. Ky vit ka qenë edhe ai që ka pasur fondet më të larta në këtë drejtim, me një vlerë prej 2.3 miliardë lekë.
Ndërsa financimi për 2019 prek vlerën më të ulët të financuar që nga viti 2014 për sigurinë ushqimore, fond i cili është aplikuar edhe në vitin 2016. Ndërsa vitet e tjera janë akorduar më shumë financime në këtë drejtim. Ndërkaq, edhe pse 2018 ka qenë viti me fondet më të larta për të siguruar mbrojtjen e konsumatorit, një muaj më parë, po në këtë zë janë shkurtuar rreth 21 milionë lekë. Se çfarë do të bëhet me këtë buxhet dhe se sa do të arrihet që qytetarët të fitojnë siguri për produktet që konsumojnë, kjo mbetet për tu parë.
Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit
Viti 2019 1.6 mld lekë
Viti 2018 2.3 mld lekë
Viti 2017 1.9 mld lekë
Viti 2016 1.6 mld lekë
Viti 2015 1.7 mld lekë
Viti 2014 1.9 mld lekë