Pedagogu Fitim Zekthi i ftuar në "Ekopolitikë" në Ora News, tha se kriza në universitete është e thellë, ndërsa e konsideroi të papranueshëm faktin që të njëjtët persona drejtojnë universitetin prej 30 vjetësh.
Pjesë nga biseda:
Zekthi: Kriza në arsim është e thellë. Rektorët, dekanët, profesorët që janë aty me tituj të pa merituar, me plagjiatura, me tituj të fituara me mik. Aty ka gjëra qesharake. Ligji ka një rol. Para 6 vitesh, u zhvillua një fushatë nga partia që sot është në pushtet. U përdorën terma si rilindje. U bë ligj dhe u trumbetua si sukses i jashtëzakonshëm.
Taulant Muka: Ligji solli prapë rektorë dhe dekanë që kanë ngrënë në 28 vite.
Zekthi: Rektorët dhe dekanët e kanë menaxhuar universitetin si tarafe.
Muka: Mynyr Koni, Dhori Kule, kanë qenë aty.
Zekthi: Për mua ata nuk duhet të jenë aty. Këta janë njerëz që e kanë uzurpuar universitetin prej 30 vitesh. Këtu po bëhen denoncime për trafik droge dhe nuk çan kokën njeri. Këtu janë kapur ministra të Brendshëm me trafik kokaine dhe nuk bën gjë prokuroria. Këtu falsifikohen firma të sekretarit të shtetit dhe nuk bën gjë prokuroria. Prokuroria nuk ka çfarë i bën gjë plagjiaturave. Kësaj gjëje i bën derman vetëm protesta e studentëve.