Sistemi bankar në vend po kalon një proces të rëndësishëm ristrukturimi, të shoqëruar me pakësim të numrit të bankave dhe hyrje të investitorëve të rinj në treg. Në muajin nëntor, Union Bank nënshkroi marrëveshjen për blerjen e aksioneve të një prej bankave të vogla në vend, Bankës Ndërkombëtare Tregtare, apo siç njihet ndryshe Banka Malajziane.
Kjo është shitja e gjashtë e një banke tregtare në Shqipëri brenda një harku kohor prej tre vjetësh. Ky proces ka qenë një ndikim i drejtpërdrejtë i krizës së gjatë ekonomike, që ka ndryshuar rrënjësisht strategjitë e shumë investitorëve të huaj. Për shkak të rënies së përfitueshmërisë dhe rritjes së kërkesave për kapital nga Autoritetit Mbikëqyrëse, shumë grupe europiane kanë zgjedhur të largohen prej tregjeve jashtë Eurozonës.
Si nisi cikli i shitjeve
Cikli i shitjeve nisi në vitin 2015, kur grupi francez Credit Agricole njoftoi shitjen e bankës së saj shqiptare te fondi institucioni financiar Tranzit, i kontrolluar nga fondi NCH Capital. Sipas të dhënave zyrtare, “NCH Capital” është grup financiar i krijuar në vitin 1993 dhe i fokusuar kryesisht në investime financiare në tregjet e Europës Lindore dhe sidomos në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Zyrat Qendrore të kompanisë ndodhen në Nju Jork të SHBA dhe sipas informacionit në faqen e internetit, grupi zotërohet nga George Rohr dhe Moris Tabacinic. Në tregun shqiptar, ky grup vepron zyrtarisht që prej vitit 2010, përmes institucionit financiar jobankar “Tranzit” sh.p.k., ku angazhimi kryesor ka qenë në blerjen e portofolave të kredive të këqija nga institucionet e tjera financiare.
ABI blen Credit Agricole dhe NBG
Blerja e Credit Agricole ishte vetëm fillimi i pranisë së fondit NCH Capital në tregun shqiptar. Pa u mbushur dy vjet nga blerja e parë, ABI Bank hyri në garë për blerjen e degës së Bankës Kombëtare të Greqisë në Shqipëri. Shitja e NBG Bank Shqipëri është pjesë e planit të ristrukturimit të grupit bankar grek, që parashikon shitjen ne aseteve jashtë Greqisë dhe konsolidimin e aktivitetit bankar në tregun helen. Shitja e bankës në Shqipëri pasoi shitjen e filialit rumun, Banca Romaneasca, te banka hungareze OTP në korrik të vitit të kaluar.
Edhe këtë herë, ABI doli fituese, duke mundur konkurrencën e grupit bullgar Fibank. Në 1 tetor të këtij viti, dy bankat u bashkuan zyrtarisht me njëra-tjetrën. Pas bashkimit me NBG Bank, ABI zotëron 5.7% të tregut bankar shqiptar, për një total aktivesh prej 83 miliardë lekësh.
Kapitullimi i Veneto solli bashkimin me Intesa
Verën e vitit të kaluar, grupi italian Intesa Sanpaolo vendosi të merrte në pronësi grupin homolog italian Veneto Banca, që ishte në prag të falimentimit, pavarësisht vendimit të qeverisë italiane për ta marrë në pronësi nëpërmjet një fondi publik. Mes aseteve të marra në pronësi kundrejt shumës simbolike 1 euro ishte edhe filiali i Veneto Banca në Shqipëri.
Rezultatet e Veneto në Shqipëri ishin të krahasueshme me ato të vetë grupit dhe mbijetesa e bankës u bë e mundur vetëm falë disa kapitalizimeve të njëpasnjëshme në dy vitet e fundit. Bashkimi mes Intesa Sanpaolo – Shqipëri dhe Veneto Banka u finalizua në fillim të muajit tetor. Pas këtij bashkimi, Intesa Sanpaolo zotëron rreth 13% të tregut bankar, për një total aktivesh prej 193 miliardë lekësh.
“Balfin” blen Tirana Bank
Në muajin gusht të këtij viti, Grupi Bankar i Pireut njoftoi zyrtarisht arritjen e marrëveshjes për shitjen e Tirana Bank te grupi Balfin dhe banka maqedonase Komercijalna Banka. Sipas njoftimit zyrtar të grupit bankar grek, për 98.83% të aksioneve blerësit do të paguajnë 57.3 milionë euro. Arritja e marrëveshjes u njoftua paralelisht edhe nga grupi Balfin dhe nga Komercijalna Banka. Mes të tjerash, banka maqedonase ka bërë të ditur se aksioneri kontrollues do të jetë grupi Balfin, por pa detajuar se cila është pjesa e aksioneve që do të mbajë secila palë. Nga kjo mund të kuptohet se prania e bankës maqedonase mund të jetë diktuar nga nevoja që së paku njëri nga blerësit të ishte investitor strategjik.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar me këmbëngulje moslejimin e hyrjes së investitorëve pa përvojë në tregun bankar. Edhe për shkak të kësaj influence, mund të hipotizohet se Banka e Shqipërisë e ka kushtëzuar dhënien e miratimit për blerjen me gjetjen e një investitori institucional si aksioner. Balfin e ka gjetur këtë partner te banka më e madhe maqedonase, me të cilën grupi ka pasur marrëdhënie financimi për projektet që ka zbatuar në shtetin fqinj. Transaksioni do të finalizohet pasi të ketë marrë miratimet nga auroritetet rregullatore përkatëse në Greqi dhe Shqipëri. Oferta për blerjen e Tirana Bank kishin bërë edhe ABI Bank, Fibank, Union Bank dhe banka libaneze Libank.
Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në shtator 2018 Tirana Bank ishte banka e shtatë më e madhe në Shqipëri, me 5.3% të aktiveve të sistemit bankar. Dikur banka e katërt më e madhe në Shqipëri, Tirana bank vuajti pasojat e krizës në dekadën e fundit, çka solli rënie të vazhdueshme të pjesës së saj të tregut. Fokusi i bankës ka qenë kryesisht ulja e nivelit tejet të lartë të kredive me probleme, sidomos në segmentin e korporatave.
OTP “kthehet” pas 15 vjetësh
15 vjet pasi humbi garën për të blerë ish-Bankën e Kursimeve, grupi hungarez “OTP” do të hyjë në tregun shqiptar, përmes blerjes së bankës së pestë më të madhe në vend, “Societe Generale – Albania”.
Shitja e shpejtë e “Societe Generale” te grupi hungarez, në fakt, ishte një zhvillim deri diku i papritur.
Deri vitin e kaluar, “Societe Generale” nuk bënte aspak pjesë në grupin e bankave që kishin marrë vendimin për t’u larguar nga Shqipëria, siç kishte ndodhur me shumicën e bankave greke apo me banka të tjera më të vogla. Negociatat me “OTP” u zhvilluan në formë private, sepse ato përfshijnë edhe filiale të tjera të grupit francez në vendet e Ballkanit. Deri tani,“OTP” ka blerë edhe filialet e Societe Generale në Bullgari dhe Kroaci, ndërsa pritet që të marrë edhe ato në Serbi, Maqedoni dhe Moldavi.
Sipas të dhënave më të fundit nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të muajit shtator banka “Societe Generale” – Shqipëri” zotëronte 5.7% të aktiveve të sistemit bankar shqiptar, për një vlerë totale prej 85 miliardë lekësh. Ndryshe nga shumica e bankave që i takojnë grupeve të Eurozonës, “Societe Generale” nuk ka mbajtur aspak pozita mbrojtëse dhe konsoliduese gjatë viteve të fundit.
Në harkun e pesë viteve të fundit, aktivet e bankës janë rritur me 24%. Pjesa e tregut të bankës franceze është rritur në mënyrë të ngadaltë, por të vazhdueshme. “Societe Generale” është huadhënësi i katërt më i madh në ekonominë shqiptare, pas “BKT”, “Credins” dhe “Raiffeisen”.
Pasi bleu në vitin 2008 ish-“Bankën Popullore”, “Societe Generale” ndërmori një proces ristrukturimi të shpejtë, me qëllim pastrimin e kredive të këqija dhe modernizimin e bankës. Ky proces bëri që “Societe Generale” të ishte më e shëndetshme gjatë viteve më të vështira të krizës, krahasuar me shumicën e bankave të tjera me kapital të huaj. Për këtë arsye, vendimi për t’u larguar ishte pjesërisht i papritur.
Megjithatë, duket se pasojat e krizës dhe efektet e rregullave të reja të mbikëqyrjes bankare në Eurozonë kanë kushtëzuar edhe strategjitë e gjigantit francez. Grupeve bankare europiane do t’iu kërkohet më shumë mbulim me kapital për aktivet që zotërojnë jashtë Bashkimit Europian. Rrjedhimisht, kjo rrit koston e mbajtjes së bankave që nuk zotërojnë pjesë shumë të madhe tregu dhe që nuk sigurojnë fitime domethënëse.
Pasi humbi për Tirana Bank, Union Bank blen bankën malajziane
Siç ishte paralajmëruar në muajin qershor nga “Scan Magazine”, pas disa muajsh negociata, Union Bank ka arritur një marrëveshje për blerjen e aksioneve të Bankës Ndërkombëtare Tregtare (ICB Bank). Bashkimi mes dy bankave do ta ulë në 13 numrin e bankave aktive në tregun shqiptar, nga 14 që janë aktualisht.
Union Bank është aktualisht banka e tetë më e madhe në Shqipëri, me 3.4% të aktiveve të sistemit bankar. Ndërsa ICB Bank ka përmasa mjaft modeste, me vetëm 0.7% të aktiveve.
Pas bashkimit, Union Bank do të arrijë një pjesë tregu në rreth 4.1%, pa arritur të ngjisë më tej vende në renditjen e bankave për nga madhësia. Më herët, Union Bank kishte tentuar pa sukses të blinte edhe Credit Agricole dhe Tirana Bank.
Megjithatë, shitjet e Tirana Bank dhe ICB Bank do të jenë subjekt i miratimeve rregullatore nga Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Konkurrencës, para se të zyrtarizohen.
FMN: Shitblerjet, proces me rreziqe
Cikli i shitblerjeve në sistemin bankar ka ngjallur shqetësim te Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Në deklaratat e fundit për vendin tonë, misionet e FMN kanë kërkuar me këmbëngulje që ky proces të jetë i mbikëqyryur me rreptësi dhe të mos lejohet hyrja në treg e investitorëve pa përvojë.
Sipas FMN, konsolidimi dhe shitja e aktiveve nga bankat me pronësi evropiane, sjell risqe sa i takon drejtimit të brendshëm të tyre. Ndaj, FMN sugjeron se do të jetë me rëndësi kritike të sigurohet se pjesëmarrësit e rinj në treg kanë përvojë solide bankare dhe se i përmbushin kriteret e duhura për përshtatshmëri dhe aftësi për të ushtruar aktivitet në tregun bankar shqiptar.
Presioni i FMN-së është një nga arsyet pse grupi Balfin u detyrua të hyjë në partneritet me bankën maqedonase Komercijalna Banka për të blerë Tirana Bank.
Sejko: Përqendrimi e forcon sistemin
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mendon se përqendrimi do ta bëjë më të fortë sistemin bankar shqiptar dhe se shitja e bankave është një fenomen që po ndodh në gjithë rajonin.
Pas krizës, shumë nga bankat europiane, kryesisht ato që operojnë në Eurozonë dhe që kanë filialet e tyre në vendet e lindjes, si pasojë e kushteve shtrënguese të Bankës Qendrore Evropiane, kanë qenë të detyruara ose të rrisin kapitalin, ose të vazhdojnë me procesin e zvogëlimit, pra të mbylljes të disa degëve ose filialeve të tyre në disa shtete. Në mungesë të injektimit të fondeve për të shtuar normën e mjaftueshmërisë së kapitalit, këto banka janë detyruar të tërhiqen nga rajoni.
“Si rregullator të sistemit financiar, ne kemi synuar që ky proces të shoqërohej me konsolidimin e sistemit bankar dhe në njëfarë mënyre ka dhënë rezultat pozitiv, pasi sot kemi dy banka të përthithura nga banka ekzistuese. Pra, në total ne sot kemi 14 banka, kundrejt 16 bankave që kishim më parë. Ky është një tregues pozitiv për sistemin tonë bankar e financiar,” thotë Sejko.
Ai ka theksuar se banka qendrore nuk ndërhyjmë në procesin e shitblerjes së aksioneve të bankave dhe ai është një proces i lirë, ku vetë bankat zgjedhin procesin e tyre të tenderimit për të gjetur blerësin më të mirë. Megjithatë, Guvernatori ka siguruar vazhdimisht opinionit publik se Banka e Shqipërisë, në përputhje të plotë me mandatin e saj ligjor, do të ushtrojë me përpikmëri dhe rreptësi rolin e saj rregullator dhe mbikëqyrës, duke garantuar që aktorët e rinj në treg të përmbushin plotësisht kërkesat regulative dhe ligjore të përcaktuara, e duke ruajtur të pacenueshëm stabilitetin financiar të vendit.
“Ajo që unë garantoj në emër të Bankës së Shqipërisë është që në momentin e aplikimit dhe të paraqitjes së kërkesës në Bankën e Shqipërisë për ndryshimin e aksionarëve, ne do të respektojmë strikt kërkesat ligjore të rregulloreve tona, sikurse kemi bërë gjithmonë në drejtim të ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit financiar. E theksoj edhe një herë që, në këtë kontekst, çdo gjë është e monitoruar dhe e kontrolluar; nuk kemi asnjë surprizë,” – shprehet Guvernatori.
Nga Ersuin Shehu/SCAN Magazine