Aleatët e kryeministres britanike, Theresa May, po përpiqen që ta mbajnë atë në Downing Street për të paktën edhe 2 vite, sipas gazetës Sunday Times, që përmendte burime nga kabineti i saj.
Plani që po diskutohet synon mbajtjen e May në pushtet të paktën deri në Vjeshtën e vitit 2021, ku do t’ia dorëzojë detyrën një lideri tjetër konservator. Plani është diskutuar me persona kryesorë të partisë, me shumë mundësi përfshirë edhe vetë kryeministren.
Lëvizja do të lejojë May që të bëjë të paktën dy riorganizime të tjera përpara se të largohet nga Doëning Street, sipas raportit.
I pari, që pritet direkt pas Marsit, do të lejojë atë që të promovojë një gjeneratë të re të ministrave në kabinet, sipas Sunday Times.
Ministri i Financave, Philip Hammond, ai i Transportit, Chris Grayling, Sekretari i Thesarit, Liam Fox dhe Sekretari i Biznesit Greg Clark, pritet të largohen për t’i hapur rrugë talenteve të reja apo një kabineti më të ri, me shumicën poshtë moshës 50 vjeçare.
Mbështetësit e May janë inkurajuar nga një ndryshim rrënjësorë politik në Parlament. Aleatët e saj raportojnë se janë bërë përmirësime në numrin e deputetëve që pritet të mbështesin planin e May për Brexit, sipas Sunday Times.