Një aksident i rëndë ka ndodhur pak minuta më parë në autostradën Levan-Tepelenë, pranë fshatit Varibob.
Raportohet se të paktën dy persona kanë humbur jetën, ndërsa pesë të tjerë janë plagosur.
Policia e Fierit tregon edhe dinamikën e ngjarjes.
Sipas njoftimit fillimisht një mjet ka aksidentuar një këmbësor, ndërsa në vendngjarje u afruan për ndihmë edhe pasagjerët e një autobusi, në këtë moment ata janë shtypur nga një tjetër mejt që tentoi një parakalim të gabuar.
“Në datën 06.01.2019, rreth orës 18:00, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, në vendin e quajtur “Varibob”, një automjet ka përplasur një këmbësor.
Në vendngjarje janë grumbulluar disa banorë të zonës dhe pasagjerë të një mjeti tjetër që kishte parkuar aty për të dhënë ndihmën e parë personit të aksidentuar, të cilët janë përplasur nga një mjet tjetër tip “Opel” i cili ka hyrë në parakalim.
Për pasojë kanë ndërruar jetë shtetasit F.Sh, 64 vjeç, banues në Tiranë dhe D.L, 55 vjeç, banues në Vjosë, Fier si edhe janë dërguar në Spitalin Rajonal Fier dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve 5 shtetas të tjerë.
Po punohet për identifikimin e shtetasve të plagosur dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes”, njofton policia.