Pas festave të fundvitit, studentët do tu rikthehen këtë të hënë protestave.Të dielën në mbrëmje studentët u mblodhën në Qytetin Studenti për të riorganizuar qëndrimin e tyre. Zgjidhjen e dhënë nga kryeministri nuk e pranojnë pasi e duan me votën në parlament dhe jo me vendim të këshillit të ministrave. Në protestën e sotme ata kanë ftuar të gjithë qytetarët që duan të protestojnë për të drejtat e tyre.Studentët kanë paralajmëruar se nuk do të bëjnë kompromis dhe se do të kërkojnë plotësimin e 9 kërkesave të tyre, jo me Vendim të Këshillit të Ministrave, por me votë në parlament.
Ora 08:58 Nis grumbullimi i studentëve
Ka nisur grumbullimi i studentëve pranë Fakulteteve përkatëse. Gazetarët e Ora News do të përcjellin hap pas hapi çdo zhvillimi.
Që në orët e para të mëngjesit, studentët kanë kyçur portat për të mos lejuar zhvillimin e mësimit me dry, por edhe me gozhda.
Nga Fakulteti i Politeknikut raportohet se një pjesë e studentëve kanë nisur mësimin.
Asnjë tërheqje nga 9 kërkesat
Këtë të hënë (7 janar 2019) studentët do t`i lënë serish bosh auditorët dhe do t`i rikthehen protestës. Ata paralajmërojnë një tubim masiv para Kryeministrisë me mbështetje të studentëve të rretheve dhe qytetarëve.
Nuk kanë hequr dorë nga 9 kërkesat ndërsa thonë se ato mund të shtohen pasi çdo fakultet do të përpilojnë në vijim një liste me problematikat për të cilat do të kërkojnë zgjidhje nga qeveria.
Organizimi do të jetë i njëjtë do të nisë nga fakultetet në orën 8 dhe në orën 10 do të marshohet drejt kryeministrisë. Pankartat nuk do të mungojnë, paralajmërojnë edhe surpriza, por nuk pranojnë të zbulojnë detaje.
"Protesta do të vijojë me orare të zgjatura, por turni i natës do të hiqet, sepse bëhen presione dhe makinacione të shumta", tha një tjetër student.
Sa i përket paktit me universitetin, lançuar nga kryeministri, studentët nuk shprehen të kënaqur dhe thonë se nuk është zgjidhur asnjë prej kërkesave.
Protesta nuk do të ketë një afat, studentët shprehen se ajo do të përfundojë në momentin që kërkesat të marrin zgjidhje, po ashtu nuk përjashtojnë mundësi për përshkallëzim.