Ka nisur në Gjykatën e Krimeve të Rënda, seanca gjyqësore në ndaj Klement Balilit, të akuzuarit për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. Në këtë seancë, Balilit do t’i komunikohen akuzat.
Deri më sot, Klement Balili, i cilësuar si "Eskobari i Ballkanit' nuk ka pranuar asnjë nga akuzat që i janë ngritur. Seanca ishte parashikuar për në orën 12:30, por nisi më 13:30 sepse u garantua transporti i tij nga burgu. Mësohet se avokati i Balilit, Theodhori Sollaku, ka paraqitur kërkesën për gjykim të shkurtuar.
Policia e Shtetit ka regjistruar në datën 3 prill 2016 procedimin penal me nr.44 për trafikim lëndësh narkotike për grupin e njohur si ‘Balili’ me aktivitet kriminal kryesisht në jug të vendit.
Paralelisht me procedimin për trafik narkotikësh, Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Departamentin për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit, ka investiguar dhe përcjellë në vazhdimësi të dhëna mbi pasuritë e anëtarëve të dyshuar të këtij grupi, të cilat dyshohet se janë vendosur nga aktivitet kriminal.
Mbi bazën e këtij materiali, Prokuroria për Krimet e Rënda ka rregjistruar procedimin pasuror nr.5, të vitit 2017, për hetim pasuror për gjithë lidhjet familjare të grupit “Balili”.
Mbi bazën e këtij materiali policor, bazuar në ligjin nr.10192, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafkimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masa parandaluese kundër pasurisë”, (i njohur si ligji “Antimafia”), Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda vendosjen nën sekuestro të aseteve.
Policia e Shtetit ka ekzekutuar më 27 nëntor 2017, vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, të pasurive në emër të Kelmend dhe Bashkim Balilit, që janë:
- ish-kampi i Pushimit të Punëtorëve në Sarandë, aktualisht Hotel ‘Santa Quaranta’;
- 28,690 m2 truall;
- 36 apartamente e njësi shërbimi, me rreth 2.178 m2 sipërfaqe.