Policia e Elbasanit arrestoi mjekun Çaush Zogu, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Pas denoncimit në një emsion investigative mbrëmjen e së hënës një skandal në shëndetësi, ku doktori 60 vjeçar në qytetin e Gramshit ka marrë 30 mijë lekë ryshfet për t’i dhënë “Kemp”-in një të paralizuari.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në zbatim të urdhrit të Prokurorit, bënë ndalimin e Zogut, me detyrë mjek neuro-psikiatër.
Me zë dhe figurë, emisioni investigativ Fiks Fare faktoi se doktori neurolog, Çaush Zogu mori ryshfetin dhe i premtoi djalit të të paralizuarit se do t’i plotësonte dokumentet.
I moshuari është prej 6 muajsh në gjendje të rëndë. Ai komunikon me gjeste me familjarët. Doktori neurolog i Gramshit, Çaush Zogu e pranon se pacienti është në gjendje të rëndë, e duke përfituar nga kjo situatë, i kërkon djalit të tij 30 mijë lekë vetëm për të shpejtuar dokumentet në Tiranë dhe Elbasan.
Ndalimi i tij u bë pas pamjeve filmike të transmetuara në emisionin investigativ, ku mjeku i ka marrë shtetasit A.S, shumën prej 30.000 lekë me premtimin e dhënies së KEMP-it, për babain e tij.