Ish-drejtori i emergjencave civile Shemsi Prençi i ftuar në studion e lajmeve në Fax News ka komentuar qëndrimin e Policisë në protestat që ka zhvilluar opozita. Duke iu referuar përdorimit në masë të gazit lotsjellës, Prençi tha se në mendimin e tij Policia ngel në klasë.
Duke qenë se ka një karriere të gjatë në organizimin e forcave speciale në Policinë e Shtetit, Prençi tha se ligji nuk e lejon përdorimin e gazit në një kohë që mes turmës ka gra dhe fëmijë. Ai theksoi se nuk u rrezikua jeta e asnjë efektivi.
“Policia mund të ndërhynte me sprite të dorës, dhe jo të gjuante me fishekë me gaz hemues. Për mua Policia ngelet në klasë për përdorimin e gazit helmues. Duhet të jemi gjakftohtë, pasi në demokraci gjithçka është rotacion, ne kemi pasur protesta dhe më të dhunshme, dhe nuk kemi përdorur gaze të tilla.
Elementi i parë në rast se çahet kordoni i policisë është përforcimi me mjete speciale, dhe nuk mund të kalohet te hedhja e sasive të tilla të gazit. Kërpudha nuk do të ishte prishur në rast se nuk do të ishte mbështjellë, nuk mund të jetë pjesë e objekteve me rëndësi të veçantë.
Mënyra e sjelljes së qeverisë dikton sjelljen e qytetarëve. Tashmë janë zgjuar njerëzit, për shkak se po e shohin se paratë po shkojnë te oligarkët. Asnjë prej qytetarëve nuk e ndjen rritjen e rrogave, në 6 vite ende nuk kanë përfunduar 3 kilometra rrugë që lidhin Tiranën me Elbasanin”, u shpreh Prençi.