Kanë kaluar 6 ditë nga vrasja e avokatit të njohur Ravik Gurra, dhe ende policia nuk ka asnjë pistë dhe asnjë të dyshuar për ngjarjen.
Lidhur me këtë krim monstruoz ka reaguar sërish ish-deputeti demokrat, Luçiano Boçi, i cili thekson se pas vrasjes së avokatit Gurra fshihen strukturat shtetërore.
Në një prononcim mediatik, Boçi tha se kemi të bëjmë me një vrasje shtetërore, pasi Gurra kishte informacione për aktivitetin e grupeve kriminale.
“Trupë jeniçere që i shërben interesave të një grupi të caktuar që ka kapur dhe ka uzurpuar shtetin shqiptarë dhe qeverisjen e vendit. Kjo shfaqje e policisë rrit brutalitetin e saj ndaj qytetarëve dhe ul forcën e saj ndaj krimit. Jo më larg se një javë më parë në Elbasan u vra avokati Gurra. Një vrasje e karakterit mafioz.
Unë mbroj atë tezën që ka thënë ish-Kryeministri, është një vrasje shtetërore. Avokati dinte shumë gjëra për shkak të punës së tij, si avokat i shumë grupeve kriminale në Shqipëri. Ishte nga ata persona që duke ditur shumë, ka rrezikuar shumë, ka rrezikuar jetën e tij dhe ka humbur jetë”, tha Luçiano Boçi.