Gazetari Armand Shkullaku ka folur në Konferencën “Media në Mbrojtje të Demokracisë” që po mbahet nga gazetarët dhe kreu i PD-së Lulzim Basha sot në Tiranë.
Shkullaku gjatë fjalës së tij tha që ata nuk janë aty për ti bërë gjyqin Kryeministrit Rama apo për të dalë në mbështetje të Bashës por ai ngre disa çështje shumë të rëndësishme të cila rrezikojnë demokracinë dhe fjalën e lirë.
“Në të gjitha takimet elektorale, takimet politike, mbledhjet dhe organizimet që zhvillohen nga partitë ne nuk kemi mundësi të informohemi nga gazetarët tanë. Kronikat dhe lajmet vijnë të gatshme.Të lejohen gazetarët të bëjnë pyetje, të lejohen kamerat të shohim sa njerëz takon Lulzim Basha.”, u shpreh Shkullaku.
Shkullaku ka bërë thirrje që mediat të bojkotojnë çdo aktivitet të drejtuesve dhe politikanëve që vijnë me kaseta apo njoftime të gatshme.
“Modeli i mëparshëm i PS, deri kur në pushtet erdhi ‘ky figura’, ka qenë ndryshe, sepse lejoheshin kamerat dhe gazetarët që të ndiqnin personalisht debate të nxehta dhe të kishin mundësi të bënin verifikimet dhe raportimet siç duhet. Tani na sjellin kasetat e gatshme.” vijoi më tej gazetari.
Më pas ai shtoi gjithashtu që Shqipëria është në një krizë pasi mungojnë shoqatat e gazetarëve dhe ata janë të pambrojtur, mungon shoqëria civile, parti politike janë të mbylluura etj.
Gjatë Konferencës ka folur dhe kreu i PD Lulzim Basha ku ka thënë që të gjitha aktivitet e tij do të jenë pa kufizime dhe mediat do të jenë të pranishme në çdo takim.
“Asnjë kufizim nuk do të ketë për mediat, në asnjë ngjarje politike të Partisë Demokratike” u shpreh Basha.