Një histori e pabesueshme krimi dhe gënjeshtrash e pasuar me shumë viktima të gjakut të tij. Në 9 janar të vitit 1993, Jean-Claude Romand kreu krimin më tronditës të pas luftës së dytë botërore.
Për 15 vite me radhë u shtir sikur ishte dikush që në të vërtetë nuk qe, përballë familjarëve dhe miqve të tij, duke krijuar një ekzistencë të cilën edhe vetë kishte nisur ta besonte. Duke iu frikësuar pasojave nga zbulimi i të vërtetës, vrau gjithë njerëzit e tij të dashur.
Por këtë të mërkurë gjykata e Bourges, në Francë ka vendosur që të lirojë me kusht Jean-Claude Romand, njeriun i cili në vitin 1993 vrau të shoqen, dy fëmijët e tij dhe prindërit, pasi për vite me radhë i gënjeu për vendin e tij të punës.
Ai iu kishte thënë se punonte si mjek pranë Organizatës botërore të Shëndetësisë, histori e cila është bërë edhe libër nga shkrimtari francez Emmanuel Carrère.
Në të vërtetë ai nuk ishte diplomuar kurrë për mjekësi, pasi kishte ngelur gjatë studimeve.
Mirëpo pas vendimit të gjykatës, ai do i rikthehet lirisë më 28 qershor, pas 26 vitesh burg.
Në 9 janar të vitit 1993, “doktor” Jean-Claude Romand nuk shkoi në punë. Në fakt nuk kishte shkuar kurrë, pavarësisht se çdo ditë vishej dhe merrte çantën, duke iu thënë familjarëve se do shkonte në zyrën e OBSH në Paris, ndërkohë që qëndronte në parkingje dhe dhoma hoteli, duke pretenduar se udhëtonte jashtë shtetit.
Atë ditë bëri të njëjtën gjë, por para se të dilte qëlloi me pistoletë me silenciator në kokë, të shoqen, e cila ishte ende në gjumë. Ishte e para që dyshoi rreth tij.
Mbrëmjen e së njëjtës ditë, vrau dy fëmijët e tij 5 dhe 7 vjeç dhe më tej shkoi në banesën e prindërve, duke i vrarë dhe ata, bashkë me qenin e tyre.
Pas krimeve u takua me ish-të dashurën e tij dhe tentoi që ta vriste, por nuk ia doli.
Më tej tentoi që ti jepte fund jetës duke pirë një grusht me ilaçe të skaduara dhe i vuri zjarrin banesës. Por ndërhyrja e shërbimi zjarrfikës parandaloi çdo gjë.
Pas hetimeve të zgjatura ndaj tij, Romand u dënua me burgim të përjetshëm. Tashmë Gjykata e Apelit të Bourges pranoi kërkesën e avokatëve të tij për ta liruar me kusht.
65-vjeçari do të qëndrojë për dy vite nën mbikëqyrje me byzylyk elektronik dhe për dhjetë vite të tjera do të jetë në nën kontroll. Gjatë gjithë kohës të mashtrimit të tij ai kishte jetuar me lekët e rrogës së të shoqes, borxhe tek të afërmit dhe paratë që kishte siguruar nga shitja e një prone.