Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë pune në Gramsh, ku mori pjesë dhe përshëndeti përurimin e librit “Antonio Gramsci” të autorit italian me origjinë arbëreshe, Mario Brunnetti.
Në fjalën e Tij, Presidenti Meta u shpreh: “Është një kënaqësi e veçantë të marr pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme jo vetëm kulturore, por edhe atdhetare kushtuar librit të mikut tonë Mario mbi Antonio Gramshin, një prej mendimtarëve më të shquar evropianë të së majtës moderne, njeriut që trashëgoi nga familja si mbiemër pikërisht emrin e qytetit të Gramshit dhe i cili ishte tejet krenar me origjinën e tij.
Është e vështirë që me pak fjalë të mund të shpalos vlerësimin dhe nderimin e duhur e shumëmerituar për Mario Brunetti-n, Antonio Gramshin apo mbarë botën arbëreshe.
Mario Brunetti, veterani antifashist, krenaria e arbëreshëve tanë, i Italisë antifashiste dhe i të gjithë shqiptarëve, është edhe autor i librit që përurohet sot, ‘Antonio Gramshi, njeriu dhe miti’.
Ky libër është një kontribut i vyer mbi figurën e Antonio Gramshit, një figurë e shquar me kontribute shumëdimensionale, në të cilin ndërthuren dhe shpalosen më së miri njeriu dhe miti.
Ky libër është kurorë mbi të gjitha kurorat e punëve dhe shërbimeve të shkëlqyera në dobi të botës shqiptare, të statusit të arbëreshëve në atdheun e tyre të dytë dhe të lidhjeve miqësore italo-shqiptare.
Dëshiroj të evokoj me nderim të madh e të thellë nismën e të nderuarit Brunetti, i cili ka meritën vetjake dhe ekskluzive për ligjin me të cilin Italia mike mori në mbrojtje, përmes votimit parlamentar, të folurën e arbëreshëve.
Mario ynë i dashur organizon çdo vit në Pllatan një takim ndërkombëtar të cilin e ka titulluar ‘Udhëtime gramshiane’ ku, me ndikimin e tij të drejtpërdrejt, janë ftuar rregullisht si studiuesit më të njohur të mendimit të Gramshit: arbëreshë dhe shqiptarë, por edhe politikanë të ndryshëm të huaj me emër.
Është një simpozium ku mendimi filozofiko-politik ballafaqohet me prirjet bashkohore të shoqërisë dhe me sfidat e reja të zhvillimit mbarëbotëror.
Botimi i vazhdueshëm i akteve shkencore të “Udhëtimeve gramshiane” në revistën ‘Mezzogiorno-Mediterraneo’, një tribunë moderne ku shpalosen projekte në të mirë të vendeve mesdhetare me fokus kryesor marrëdhëniet ekonomiko-kulturore midis Italisë së Jugut, përkatësisht të arealit ku jetojnë arbëreshët, në Kalabri dhe në Shqipëri, është nismë e pandarë me emrin e Mario Brunetti-t.
Antonio Gramshi është një emër që do të nderonte çdo popull me veprën e tij si filozof, ideolog, estet, mendimtar dhe veprimtar, i cili ndër të tjera solli ide tejet origjinale në teorinë politike të shekullit të 20-të.
Ai përshtati në mënyrë të shkëlqyer konceptet e filozofisë klasike gjermane me prirjet e reja sociale të shekullit në të cilin jetoi dhe punoi.
Antonio Gramshi ka bërë krenarë arbëreshët tanë ashtu siç bëri De Rada në letërsi apo Crispi në politikë.
Me emrin e Antonio Gramshit është e lidhur lavdia e antifashistëve italianë në Shqipëri, të cilët formuan batalionin e tyre partizan dhe nuk kursyen as jetën për Shqipërinë tonë, që e konsideronin si atdheun e tyre të dytë.
Dy emra u bënë simbole të italianëve antifashistë në Shqipëri: Garibaldi, ‘këmishëkuqi trim me fletë’, që ‘Skënderbeut tonë i ngjet’; dhe Antonio Gramshi.
Por Antonio Gramshi dhe Mario Brunetti nuk mund të kuptohen pa arbëreshët, të cilët Dritëro Agolli i quante ‘etërit dhe bijtë tanë’, me tradita të ruajtura dhe njëherësh degë e shkëputur prej trungut mëmë, Arbërisë, së cilës i kanë ruajtur emrin, doket, zakonet, veshjet dhe sjelljet, duke u kushtuar edhe këngët më të bukura.
Kjo është bota jonë shqiptare, e ndarë por e bashkuar, gjak i shprishur siç thoshte De Rada, por një komb modern siç besojmë ne sot; me figura të denja përfaqësuese si Mario Brunetti, i cili ka jetuar me dinjitet në luftë e në paqe, e që ka fituar nderimin e dy popujve si luftëtar e si mendimtar, duke mos reshtur së lëni si trashëgimi vepra të shkëlqyera si kjo e sotmja; që përbën një model dhe një ikonë, një shembëllim të meritave intelektuale dhe qytetare arbëreshe.
Faleminderit, i dashur dhe i nderuar Mario Brunetti!
Na mblodhët në këtë qytet që mund të ishte edhe vendlindja e Antonio Gramshit, na dhuruat një libër të çmuar kushtuar kësaj figure madhështore të mendimit njerëzor duke i ngritur një përmendore lavdie figurës së tij, e duke na shtuar bindjen se, si një arbëresh i ditur, fisnik e këmbëngulës, do vazhdosh të na dhurosh edhe vepra të tjera të tilla të virtytshme.
Ndaj shfrytëzoj këtë rast t’Ju urojmë jetë të gjatë, e të vazhdojmë të gëzojmë ndër vite e dekada, sepse si Mario Brunetti, miku ynë, nuk ka të dytë.”
Aktiviteti u zhvillua në sheshin kryesor të Bashkisë së Gramshit, me pjesëmarrjen e Kryebashkiakes Luljeta Dollani, autorit të librit politikanit, shkrimtarit dhe gazetarit arbëresh Mario Brunnetti, si dhe shumë personaliteteve shqiptare, arbëreshe dhe italiane.