Shifrat alarmante, në 10 muaj vdiqën 76 persona nga aksidentet rrugore në Kosovë

Hënë, 21 October 2019 09:01

Që nga muaji janar e deri në muajin shtator 76 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku. Ngasje e automjeteve me shpejtësi të madhe dhe rrugët e Kosovës janë kthyer në ferr për shumëkënd.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur për lajmi.net, se vetëm në muajin shtator të këtij viti, shtatë persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku.

Statistikat e Policisë së Kosovës tregojnë se gjatë muajit janar-shtator, krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit ka më pak persona të vdekur.

Sipas policisë, në periudhën janar-shtator të vitit 2018, kanë qenë gjithsej 69 aksidente fatale, ku 90 persona kanë vdekur.

Ndërkaq në po të njëjtën periudhë kohore të këtij viti, kanë ndodhur 66 aksidente me fatalitet, pra tre më pak dhe kanë qenë 76 persona që kanë humbur jetën për dhjetë muaj, apo 14 më pak krahasuar me vitin 2018, raporton lajmi.net.

Po ashtu statistikat e përgjithshme për dhjetë muaj tregojnë se këtë vit ka pasur më pak aksidente mirëpo, më shumë tiketa të shqiptuara.

Sipas Policisë së Kosovës, në periudhën janar-shtator të vitit të kaluar kanë qenë 4 mijë e 668 aksidente me lëndime, ku 9 mijë e 354 persona kanë mbetur të lënduar.

Ndërkaq për periudhën e njëjtë kohore, në vitin 2019 kanë ndodhur 4 mijë e 443 aksidente me lëndime apo 225 më pak se vitin e kaluar, kurse persona të lënduar kanë mbetur 8 mijë e 625 apo 729 më pak se në 2018-tën, raporton lajmi.net.

Në bazë të këtyre statistikave, numri total i aksidenteve nga janari deri në shtator të vitit 2018 kanë ndodhur 11 mijë e 776 aksidente, ndërkaq këtë vit, pra në 2019-ën në periudhën e njëjtë kohore kanë ndodhur 11 mijë e 732 apo 44 aksidente më pak.

Sa i përket tiketave të shqiptuara, Policia e Kosovës ka bërë të ditur për lajmi.net, se këtë vit krahasuar me vitin 2018 ka më shumë tiketa të shqiptuara.

Në vitin 2018 nga janari deri në shtator, Policia e Kosovës kishte shqiptuar 305 mijë e 863 tiketa, ndërkaq këtë vit për periudhën e njëjtë kohore, janë shqiptuar 321 mijë e 690 tiketa apo 15 mijë e 827 tiketa më shumë.

Mirëpo, sa i përket krahasimit vetëm të muajit shtator të vitit 2018 dhe të këtij viti, vërehet se ka rritje të aksidenteve në përgjithësi.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur për lajmi.net, se në muajin shtator të vitit të kaluar kanë qenë 536 aksidente me lëndime, ku 1 mijë e 4 persona kanë mbetur të lënduar, kurse në shtator të këtij viti kanë ndodhur 40 aksidente më shumë, pra janë 576 aksidente vetëm për muajin që sapo e lamë pas dhe për pasojë 1 mijë e 26 persona kanë mbetur të lënduar apo 16 më pak se vitin e kaluar.

Ndërkaq sa i përket numrit të përgjithshëm të aksidenteve vetëm për muajin shtator këtë vit kanë ndodhur më shumë aksidente.

Vitin e kaluar kanë ndodhur total 1 mijë e 269 aksidente kurse këtë vit 1 mijë e 379 aksidente apo 110 më shumë sesa vitin e kaluar.

Po ashtu për muajin shtator, Policia e Kosovës këtë vit ka shqiptuar më shumë tiketa në trafik. Përderisa vitin e kaluar në muajin shtator Policia e Kosovës kishte shqiptuar 31 mijë e 146 tiketa këtë vit vetëm për muajin shtator ka shqiptuar 38 mijë e 593 apo 7 mijë e 447 më shumë tiketa.

Login to post comments