Tre muaj izolim për 'të fortët' e burgut të Rrogozhinës, rrahën keq 'kolegun' në palestër

Hënë, 21 October 2019 09:49

Ngjarja ka ndodhur javën e kaluar, në ambientet e palestrës së burgut në Rrogozhinë. I plagosur mbeti 26-vjeçari Bajram Myftaraj. Për plagosjen e tij, prokuroria akuzon dy të dënuarit, Vilson Veizi dhe Endrit Goga

Vilson Veizi dhe Endrit Goga, dy të dënuarit që shkaktuan një sherr pak ditë më parë në burgun e Rrogozhinës, kanë dalë dje për masë sigurimi. Seanca është zhvilluar në ambientet e Gjykatës së Fierit, e cila në përfundim ka vendosur t’i lërë dy shtetasit e mësipërm 3 muaj në izolim.

Sipas informacioneve te gaazetes "Shekulli",, Veizi dhe Goga, kanë qenë dje të pranishëm në Gjykatë, ndërsa vetëm njëri prej tyre është shprehur se ndodhej në vendin ku ndodhi sherri. Endrit Goga, mësohet se e ka pranuar që i ka gjuajtur me grusht të dënuarit Bajram Myftaraj, ndërsa Veizi refuzoi që të kishte gjuajtur.

Avokati i këtij të fundit është shprehur gjatë seancës se Veizi mund të ketë qenë i pranishëm momentin e sherrit, por ai ka vënë një aparat në zemër dhe ajo nuk e lejon që të përfshihet në zënka pasi rrezikon jetën. Ndërkohë, prokurori që i ishte ngarkuar kjo çështje, është shprehur se ngjarja për të cilën janë akuzuar dy të dënuarit është e dokumentuar me prova, pasi janë marrë pamjet e kamerave të sigurisë në palestër ku duket qartë që Veizi dhe Goga qëllojnë 26-vjeçarin Myftaraj.

Në përfundim, prokurori përkoi që Vilson Veizi dhe Endrit Goga, të mbylleshin për 3 muaj në qeli izolimi të veçantë. Qeli këto, që janë bërë posaçërisht për ligjin 41 bis, në burgjet shqiptare.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e të martës së kaluar në Burgun e Rrogozhinës, ku mbeti i plagosur rëndë një i dënuar, ndërsa protagonistë ishin të burgosur për vrasje, drogë e gjobëvënie. Përplasja mësohet se ka nisur në hyrje të palestrës së burgut, ku njëri prej autorëve të sulmit i është drejtuar të plagosurit me fjalët “Ç’ke që sheh?”. Kaq ka mjaftuar për të ndezur shkëndijën e përplasjes fizike, mes 5 të dënuarve, që konsiderohen si “të fortë”, brenda Burgut të Rrogozhinës.

Megjithatë, burimet thanë se fjalët mund të jenë shkëmbyer edhe për “inate” të vjetra mes të burgosurve, që e kanë zanafillën jashtë mureve të burgut. E gjithë situata ka ndodhur në sy të njërit prej gardianëve që ndodhej në hyrje të palestrës, i cili është pezulluar nga detyra. Ndërsa mësohet se ka nisur edhe një hetim administrativ nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Tjetër masë që është marrë pas përplasjes në burg, ka qenë edhe transferimi i të gjithë personave që u përfshinë në këtë konflikt.

Përveç të plagosurit, 26-vjeçarit Bajram Myftaraj, që ndodhet duke marrë mjekim në Spitalin e Burgut në Tiranë, 4 të dënuarit e tjerë, që pësuan plagë të lehta, janë transferuar në burgje të tjera.

Të dënuarit që u përfshinë në konfliktin që ndodhi pasditen e së martës në Burgun e Rrogozhinës janë, Vilson Veizi, i dënuar për vrasje, Arben Haxhihyseni, i dënuar për gjobëvënie, Nikolin Dokla, i dënuar për drogë dhe Endrit Goga, i dënuar po për drogë.

Burimet thanë se të katërt këta persona kanë goditur me shkelma, grushte, por dyshohet edhe me mjete të tjera të forta, të burgosurin tjetër Bajram Myftaraj, 26 vjeç, i dënuar për trafik lëndësh narkotike. Të njëjtat burime thanë se sherri ka nisur në momentin që të dënuarit po hynin në palestrën e burgut dhe debati është zhvilluar në praninë e njërit prej gardianëve të burgut, i cili është pezulluar nga detyra. Bajram Myftaraj, i cili vuan dënimin trafik droge, ndodhej në gjendje të rëndë në Spitalin e Burgut në QSUT, në Tiranë, pas dhunës së ashpër që është ushtruar ndaj tij. Ndërsa mësohet se edhe 4 autorët kanë pësuar lëndime të lehta, por janë mjekuar në ambientet e Burgut të Rrogozhinës, nga ku tashmë janë transferuar./SHEKULLI

Login to post comments