Nga Kristi Pinderi
Kush jeton larg e ndjek situatën në Shqipëri me ankthin e shtuar nga pamundësia për të ndihmuar konkretisht. Por pjesa më e padurueshme është që teksa kërkon të informohesh mbi çfarë po ndodh, të del para syve një klloun, veshur me atë xhupin kuq e zi, që u shkon tavolinë më tavolinë njerëzve që janë strehuar në hotele.
Herë merr pozat e burrit të shtetit që medemek i ka rënë mbi supe një përgjegjësi e madhe. Herë nis të flasë si ata komshinjtë që nuk dëgjojnë çfarë u thua, ama e kanë një përgjigje për çdo gjë. Herë bën si menaxher krizash. Herë të tjera hiqet sikur nuk flet dot ngaqë është shumë i prekur. Pastaj hiqet sikur është shoku i bamirësit që del në televizor. Herë tjetër bën të duket sikur i ka menduar që të gjitha rrugëdaljet, por nuk e lenë njerëzit me mllefin e tyre, apo siç tha: “ata që inatosin edhe Zotin me gam gam-et”, që të punojë. E herë bën si zjarrfikës që ka tre ditë që lufton në rrënoja.
Ajo që të gjithë e morëm vesh tani, është jo vetëm që ky shtet është i papërgatitur dhe i paorganizuar për tu përballur me emergjenca, por është edhe fakti flagrant që ky nuk di as të prodhojë një buletin zyrtar që të njoftojë me shifra dëmin, jetët e humbura, planin për daljen nga situata, buxhetin përkatës, masat që do merren për të gjetur nëse, përtej natyrës, ka a s’ka edhe fajtorë që kanë lejuar ndërtimin jashtë kushteve të kësaj morie ndërtesash të pasigurta. E nëse ka fajtorë të tillë, përfshi atë vetë apo bashkiakët e tij, a do mbajnë apo jo përgjegjësi.
Eshtë skena më domethënëse kur nëna e dy fëmijëve, teksa ky i ulet në tavolinë, në një nga hotelet ku janë strehuar përkohësisht, i bën një pyetje. Ajo, pasi i përshkruan ankthin që përjetoi derisa mundi të shpetojë veten edhe fëmijët, e fton kllounin që ka përballë, që ti thotë se kur, edhe se si, shteti do i gjendet pranë me autoritetin e vet.
I thotë: “Dua të më njoftojë dikush nëse ky pallati ynë është i pabanueshëm, apo jo”. Eshtë duke i thënë që nuk i hyjnë në sy pjatat e ushqimit në hotelin plot shkëlqim. “Dua të di”, shton, “nëse do mblidhemi apo jo në shtëpinë tonë”. Me pak fjalë është duke ia shpjeguar se asgjë nuk ka rëndësi para përgjegjësisë së një autoriteti mbi palët, autoritet që e njeh situatën në këndin e vet global, siç është pra autoriteti shtetëror. Po ia shpjegon në një mënyrë elegante, aq elegante sa të lejon skena absurde ku kllouni shoqërohet nga një ministër dru që ska asnjë shprehi në fytyrë, edhe nga enturazhi I kronistëve, kameramanëve edhe fotografëve të qeverisë.
Edhe si i përgjgijet ky? “Prit”, i thotë, “do i marrim gjërat me rradhë”.
Në fakt, nuk e ka as më të voglën ide se si do i marrë gjërat, ngaqë të vetmin hall që ka është si ta përdorë këtë situatë për propagandë.
Eshtë fatal momenti kur kupton që ky vend ka një qeveri kllounësh, ku e vetmja gjë e mirë që dinë të bëjnë, është të nxjerrin ministren e duhur të përlotet teksa lexon emrat e viktimave.
Të paktën ngjan më njerëzore ministrja që loton, se ai karagjozi i bashkisë, apo ministrat si dru që mban nga mbrapa kryekllouni që s’të le as të qash për gjëmën që të ka zënë./historia-ime.com/