Ish-Presidenti Bujar Nishani ka replikuar sot në distancë me ish-ministrin socialist Ethem Ruka, pasi ky i fundit ishte shprehur me indinjatë kundër tij pse Nishani e kishte konsideruar “idiot”, Kryeministrin Edi Rama dje.
Nishani iu kundërpërgjigj sot Rukës, duke argumentuar dhe deklaratën e tij të fortë dje, ku thoshte: “dikush t’i tregojë idiotit kryeministër, që kërcënon se do të mbyllë mediat, pasi na paska shpallur Gjëndjen e Jashtëzakonshme!Qeveria nuk shpall dot Gjëndje të Jashtëzakonëshme!”
REAGIMI I PLOTË I NISHANIT SOT
Et’hem Ruka që mban dhe titullin “Profesor” qënka revoltuar e më është kundërvënë pse i kam thënë një njeriu të papërgjegjshëm deri në ekstrem “idiot”!
Ky profesor që merr përsipër të arsimojë rininë tonë nuk i bën përshtypje dhe i duket normale që kryeministri i një vendi del në publik e deklaron se “unë kam shpallur Gjëndjen e Jashtëzakonshme dhe me këtë do mund të mbyll ekranet e median.”
Këtij profesori i duket normale që kryeministri në vend të nxjerrë trupat e shqiptarëve nga rrënojat, i jep vetes kompetencat e sulltanit, që nuk Ia njeh asnjë ligj e as Kushtetuta e këtij vendi.