Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka nxjerrë një udhëzim të posaçëm për degët e PD-së në qarqet e goditura rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit, në të cilin kërkohet qartësisht: “Qëllimi nuk është të përdorim politikisht fatkeqësinë e madhe që na ka ndodhur, por t’u vijmë në ndihmë qytetarëve, prandaj, duhet të shmanget çdo dalje publike apo reagim personal, që mund të merret si përdorim politik i fatkeqësisë”.
Udhëzimi ka bërë që në terren të shpërndahen të gjithë ish-deputetët e PD dhe figura të njohura të saj, në mbështetje të qytetarëve dhe të ketë rrallë, pothuajse fare, deklarata politike prej tyre.
PD-ja ka ngritur grupe të posaçme koordinimi në të 6 zonat e prekura rëndë nga tërmeti dhe me të gjitha energjitë, drejtues dhe anëtarë të saj janë duke vepruar aktivisht në terren.