Edhe pse ekspertët në disa raste po i vlerësojnë godinat si të qëndrueshme, banorët e kanë shumë të vështirë të besojnë fjalët e tyre për shkak se gjendja e pallateve është në dukje katastrofike.
Pas pallatit të Lezhës, që bëri shumë bujë në media për shkak se pamjet që ofronte ishin të tmerrshme, por qeveria thotë se është i banueshëm, një tjetër rast vjen nga Durrësi.
Bëhet fjalë për kompleksin 11-katësh që është komentuar gjerësisht në media. Nga vlerësimi paraprak, objekti rezultoi me strukturë të qëndrueshme, por i pabanueshëm për shkak të dëmtimeve në mure dhe shkallët e brendshme. Si pasojë, pa shtëpi kanë ngelur 285 familje.
Banorët ankohen se askush nuk u ka siguruar strehim dhe se po detyrohen të flenë në makina.
Ndërkohë, ka banorë që janë skeptikë edhe sa i takon konstatimeve paraprake të ekspertëve mbi qëndrueshmërinë e objektit.
“Ata janë të korruptuar, nuk kam besim te asnjeri. Vijnë e mashtrojnë me fjalë të bukura,” tha njëri prej tyre.
Ky kompleks u inspektua nga ekspertë zvicerianë dhe shqiptarë, të cilët e vlerësuan objektin si të qëndrueshëm.