Aksioni i policisë mëngjesin e të enjtes ka vënë në pranga një 35-vjeçar. Ai është kapur në tentativë për të grabitur banesën e një emigranti.
Sipas njoftimit të Policisë së Korçës, 35-vjeçari rezulton të jetë i dënuar më parë për “Vjedhje”.
“Telefonata e qytetarit dhe reagimi në kohë i policisë, parandalon vjedhjen e banesës të një emigranti. Kapet dhe arrestohet në flagrancë autori i dyshuar i ngjarjes. Në numrin 129 të policisë, një qytetar ka njoftuar se në lagjen nr. 4 Korçë, në banesën e shtetasit P. N., (emigrant) një shtetas kishte hyrë për të vjedhur.
Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, kanë shkuar drejt adresës së raportuar, ku kanë konstatuar në ambjentet e brendshme të banesës, shtetasin L. Sh., 35 vjeç, i cili po tentonte të kryente vjedhje.
Policia arrestoi në flagrancë shtetasin L. SH., (i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”) dhe materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia.