ëshilli i Lartë Gjyqësor është vënë në dijeni që në muajin nëntor të vitit të kaluar se në Gjykatën e Krujës po gatuhej vendimi për lirimin e Indrit Dokles.
Gazeta “Si” mëson ekskluzivisht se përmes dy shkresave të dorëzuara në KLGj, një në muajin nëntor dhe një tjetër në muajin dhjetor, i kërkohet këtij institucioni, si organi më i lartë që mbikëqyr vendimet e gjyqtarëve, që të ndërhyjë për të vëzhguar procesin në Gjykatën e Rrethit të Krujës, pasi kishte informacione se po bëheshin përgatitje për të liruar Indrit Doklen.
Nuk dihet nëse dy shkresat janë marrë në shqyrtim nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, një organ i ri i ngritur në kuadër të reformës në drejtësi, por nisur nga vendimi i Gjykatës së Krujës, duket se të dyja shkresat janë harruar nëpër sirtare.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Krujës ka reaguar përmes një deklarate, ku thotë se përgjatë të gjithë procesit gjyqësor ka kërkuar rrëzimin e kërkesës së të pandehurit për t’u liruar me kusht. Prokuroria thotë se për këtë vendim, jo vetëm nuk plotësoheshin kushtet ligjore të përcaktuara në Kodin Penal, nuk ekzistojnë as provat e arsyet e veçanta që kërkojnë ligjet.
Gjithashtu prokuroria ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares së çështjes, Enkeljda Hoxha me arsyetimin se i njëjti trup gjykues ka dhënë vendime në favor të kërkuesit. Prokuroria deklaron se kjo kërkesë e saj nuk është pranuar nga gjykata dhe paralajmëron se apelimin e vendimit.
“Të gjitha kundërshtimet në lidhje me shkeljet proçedurale si dhe zbatim të gabuar të ligjit Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë do t’i parashtrojë në ankim brenda afatit ligjor”, mbyllet deklarata e Prokurorisë.
Indrit Dokle u lirua për sjellje të mirë
Gazeta “Si” mëson ekskluzivisht se ketë të martë, Indrit Dokle, i dënuari me burg përjetë si një prej anëtarëve më të rrezikshëm fillimisht të bandës së Lulzim Berishës dhe më pas drejtues i bandës rivale me të në Durrës, është lënë i lirë.
Vendimi është marrë nga ana e Gjykatës së Krujës. Arsyetimin e dhënë nga gjykata për këtë vendim gazeta “Si” do të sjellë në më të detajuar në vazhdim.
Por, mësohet se Gjykata e Krujës fillimisht i ka konvertuar burgun përjetë në burg me 25 vite burg për sjellje të mirë dhe më pas ka urdhëruar lirimin e tij, me arsyetimin se ka kryer tre të katërtën e dënimit, po me arsyetimin për sjellje të mirë.
Ajo që është e sigurtë, vendimi nuk shpërfill vetëm dënimin me burg përjetë për të, por edhe një dënim që i Indrit Dokle e ka marrë në vitin 2013 me 16 vite burg për drejtimin e një organizate kriminale nga qelia ku vuante burgun përjetë.
Indrit Dokle kishte krijuar emrin si një prej anëtarëve më të dhunshëm dhe më të rrezikshëm të Bandës së Durrësit. Të gjitha krimet e tij u zbuluan gjatë procesit gjyqësor nga Adriatik Coli, i penduari i kësaj bande dhe një person i paguar për të vrarë armiqtë e bandës famëkeqe të Durrësit.
Banda kriminale, me drejtues të përbashkët Lulzim Berishën dhe Klodian Saliun funksiononte prej vitit 1994 në qytetin e Durrësit. Vulën e anëtarëve të saj dyshohet se mbajnë një sërë vrasjesh të ndodhura në Durrës e Tiranë, nga viti 1998 e në vazhdim, si vrasja e Dritan Sallakut, më 17 tetor 1998, në qytetin e Durrësit, e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri, më 29 tetor 1998 në fshatin Rrushbull të Durrësit.
Në vitin 1999, pasi kishin dështuar një vit më parë për vrasjen e Sotirit, i cili ishte plagosur, organizata ndërmori një aksion dhe e ekzekutoi atë më 22 gusht, në zonën e Plazhit. Në vitin 2000, banda akuzohet për vrasjen e Dritan Dishës, më 9 qershor, në fshatin Shenavlash të Durrësit.
Ndër vrasje të tjera është edhe e Ervin Lames, më 14 janar 2002, në lagjen nr. 3 të qytetit të Durrësit. Pas vrasjes së Saliut, organizata që u vendos nën drejtimin e Dokles, akuzohet për vrasjen e Avni Gashi, më 13 tetor 2005, në Tiranë.
Më 30 tetor 2005, organizata e Indrit Dokles ekzekutoi në Tiranë, pranë stadiumit ‘Qemal Stafa’, shtetasin Ilir Koldashi. Për qëllimet e tyre, drejtuesit e “Bandës së Durrësit” përdornin edhe vrasës me pagesë, si shtetasit Elvin Hoxhosmani, Selman Heti, Spartak Kalthi dhe Alban Neli./ Gazeta Si