Më 17 janar të këtij viti, një lajm tronditi opinionin publik. Një person i quajtur Jan Prenga ishte rrëmbyer në Kamëz, në mes të ditës. Ajo që pasoi ishte një triller i denjë për filmat. Viktima ishte marrë peng për pazare të drogës së vëllait. Në histori dalin grupe kriminale që nga Shkodra, në Shijak e deri në Vlorë. Ajo që dihet është se Prenga ndërroi jetë dhe hetimet janë përqendruar edhe rreth një resorti në Shijak, ku u dërgua pengu. Po çfarë është kompleksi Golden, ku thuhet se janë përgjuar edhe shumë politikanë të lartë, ministra dhe deputetë? Ja çfarë shkruan gazeta Mapo, e cila e quan një Eldorado në mes të hiçit
Kompleksi Golden i vëllezërve Hajri, ndodhet rreth 3 kilometra larg Shijakut, në fshatin Pjezë, komuna Xhafzotaj. Një objekt tejet luksoz, i cili bën kontrast të fortë me pamjen përreth. Duket si një oaz i ngritur në mes të asgjësë. Por, kompleksi Golden nuk ka qenë dhe aq i panjohur, megjithëse nga Tirana e ndajnë më shumë se 25 kilometra. Në profilin e këtij biznesi në Facebook, do shohësh mjaft këngëtare, artistë apo të tjerë nga bota e spektaklit që kanë qenë pjesë e aktiviteteve që organizoheshin atje. Biznesi rezulton në emër të Altin Hajrit, një prej djemve të Bajram Hajrit, dhe ky i arrestuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës. Kompleksi Golden është ndërtuar që në vitin 2004, dhe megjithëse bie në sy për luksin dhe vlerën e madhe të ndërtimit, asnjëherë nuk është kontrolluar nga organet përkatëse, megjithëse pronarët e tij dyshoheshin për aktivitet kriminal, kryesisht në Itali. Në këtë kompleks kryheshin deri në 170 dasma në sezon, dhe qarkullohej një xhiro vjetore prej 500-800 milionë lekë të vjetra në vit. Vlera totale e objektit, sipas deklarimeve, kap një shifër prej pesë milionë eurosh, ku 4.4 milionë euro ka kushtuar vetëm ndërtesa. Ende nuk dihet se përse ekzekutuesit e rrëmbimit kanë menduar ta dërgojnë pengun në këtë kompleks, ku ishin jo vetëm lehtësisht të identifikueshëm, por ishte dhe një ambient i tejmbushur me kamera vëzhgimi. Siguria ndoshta vinte dhe nga fakti se në kompleksin e tyre nuk kishte hyrë kurrë policia. Duket që kanë pasur mbështetje politike, pasi në përgjithësi rrëmbyesit nuk veprojnë në këtë mënyrë. Ata gjejnë ndërtesa të tjera larg zonës së tyre të veprimit, për të hequr çdo lloj dyshimi nga ana e policisë.
Aktiviteti
Por si u ngrit perandoria e vëllezërve Hajri? Mediat italiane shkruajnë se i pari që shkoi në Itali, në qytetin e Padovas në fillim të viteve 2000 ishte Altin Hajri, i cili më pas u ndoq nga vëllai i tij Emiljani. Në vitin 2010 në shtetin fqinj Itali sekuestrohen rreth 20 kilogramë heroinë në qytetin e Breshias. Më pas dhe 10 kilogramë të tjera në qytetin e Padovas, ndërkohë në zonën e Roverchiaras në një laborator sekuestrohen 300 kilogramë të tjerë. Rrugës ishin përgatitur dhe 450 kilogramë të tjerë për t’u trafikuar. Hetimet e mëpasshme, i çuan hetuesit italianë në gjurmët e vëllezërve Hajri, që nga refugjatë klandestinë tashmë kishin organizatën e tyre. Mediat italiane i përshkruajnë si shumë diskretë. Altin Hajri në këtë kohë rikthehet në Shqipëri duke e drejtuar organizatën nga vendlindja. Paratë i sjellin pak e nga pak me anë të korrierëve ndërkohë që një pjesë e tyre ishin investuar në kompleksin Golden. Përveç linjës së Italisë, duket se vëllezërit Hajri e kanë zgjeruar akoma dhe më shumë aktivitetin, duke hyrë tashmë dhe në trafikun e kokainës, që vinte nga Ekuadori drejt Britanisë së madhe ose vendeve të tjera të BE-së, duke luajtur njëkohësisht dhe rolin e ekzekutuesve siç ishte dhe rasti i Jak Prengës.
Skenari
Duket si një skenar fiction, i denjë për ‘Narcos’, por ja që ka ndodhur. Në një ambient jo më shumë se 20 kilometra nga Tirana, luksoz dhe i pakontrolluar asnjëherë nga policia, i pahetuar asnjëherë nga tatimet apo pastrimi i parave. Aktiviteti i vëllezërve Hajri njihej nga policia, madje Altin Hajri për disa kohë ishte në kërkim dhe nga Interpoli, por sërish ata kanë vijuar të qetë të jenë aktivë madje në trafik dhe veprimtari të tjera. Një rast i cili flet qartë dhe për mbështetjen që kanë pasur nga qarqe të larta të politikës. Altin Hajri është arrestuar vetëm një herë në vitin 2013, dhe megjithëse ishte dokumentuar veprimtaria e tij, sërish u lirua dy ditë më pas. Dhe nuk janë të vetmit. Kanabizimi masiv i viteve 2016-2017 po sjell në vëmendje një tjetër fenomen. Paratë e fituara në atë kohë po investohen në trafikun e drogës së fortë, si kokaina, një aktivitet, i cili po prodhon çdo ditë e më shumë viktima. Pallate apo qendra tregtare që ngrihen nga kompani me 7 apo 8 mijë euro kapital, dhe nuk hetohen. Burgjet janë tejmbushur me përdorues kanabisi, apo për krime të tjera të lehta, por ata që drejtojnë fijet e narkotrafikut vazhdojnë të enden të lirë, dhe t’i bëjnë karshillëk pjesës së ndershme të shoqërisë e cila mezi mbyll muajin. Flasim përditë për reforma, dhe strategji por sërish drita duket e largët në fund të tunelit. Provat janë aty, të qarta nën dritën e diellit, vetëm se duhet vullnet politik për t’i dërguar para bankës së të akuzuarve, vullnet i cili duket se mungon.