E ardhur prej dy ditësh nga Italia, një grua nga Lushnje izolohet në QSUT, pasi ka shfaqur simptoma të ngjashme me koronavirusin.
Gazetari i News 24, Julian Kasapi konfirmon për “BalkanWeb” se gruaja që jetonte në Padova ka shfaqur vështirësi në frymëmarrje, temperaturë të lartë dhe dhimbje artikulacionesh.
Gruaja fillimisht është ekzaminuar në spitalin e Lushnjes ndërsa më pas është izoluar në karantinën e këtij spitali. Më pas e kanë transportuar me urgjencë në QSUT, pas dyshimeve se mund të jetë prekur nga koronavirusi. Ajo i është nënshtruar ekzaminimeve të nevojshme dhe pritet që Instituti i Shëndetit Publik të konfirmojë nëse është apo jo mbartëse e virusit vdekjeprurës.
Kujtojmë që Italia është shteti më i prekur nga koronavirusi në Europë, me 197 viktima dhe mbi 4 mijë të prekur.