Lekë dhe karantina/ Ja dy vendimet e sotme të qeverisë

Hënë, 09 Mars 2020 18:09

Edhe pse kishte kohë që flitej, vetëm sot është bërë zyrtare struktura e karantinës në Shqipëri, për të sëmurët me koronavirus.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë është vendosur që shtëpia e pushimit e ushtarakëve në Durrës, të shërbejë si karantinë.

Sot qeveria ka vendosur edhe lëvrimin e 400 milionë lekëve për ministrinë e Shëndetësisë.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 09 Mars 2020:

VENDIM PËR MARRJEN E MASAVE PËR NGRITJEN E INFRASTRUKTURËS PËR SHËRBIMIN E KARANTINËS DHE PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E MIRATUAR PËR MINISTRINË E MBROJTJES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.15/2016, ‘Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive’, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, ‘Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, ‘Për buxhetin e vitit 2020’, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Caktimin e shtëpisë së pushimit të ushtarakëve të FARSH-it, prona nr.231, me emërtim ‘Shtëpia e pushimit të ushtarakëve’, me vendndodhje në Plepa, Durrës, si strukturë për shërbimin e karantinës, në funksion të marrjes së masave për parandalimin e përhapjes së infeksionit nga COVID-19.

2. Caktimin e Ministrisë së Mbrojtjes si autoritet kontraktor për zhvillimin e procedurave të prokurimit, si më poshtë vijon:

rikonstruksion të objektit prona nr.231, me emërtim ‘Shtëpia e pushimit të ushtarakëve’, me

vendndodhje në Plepa, Durrës, për përshtatje si infrastrukturë karantine;

blerje mallrash/pajisjesh për përshtatjen e dhomave për nevoja të karantinës;

sigurimin e ushqimit të gatuar sipas nevojave;

sigurimin e shërbimit të lavanderisë.

3. Ministrisë së Mbrojtjes, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në artikullin buxhetor 602, ‘Mallra dhe shërbime’, dhe në artikullin buxhetor 231, ‘Shpenzime kapitale’, i shtohet, përkatësisht, fondi prej 13 824 000 (trembëdhjetë milionë e tetëqind e njëzet e katër mijë) lekësh dhe 11 000 000 (njëmbëdhjetë milionë) lekësh.

4. Efektet financiare, sipas pikës 3, të këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2020.

5. Ministria e Mbrojtjes të koordinojë punën me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për përcaktimin e kushteve/kërkesave për funksionimin optimal të objektit të caktuar si infrastrukturë karantine.

6. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të marrë të gjitha masat për të siguruar shërbimin shëndetësor dhe psikosocial për personat që vendosen në karantinë, sipas legjislacionit në fuqi.

7. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në ‘Fletore zyrtare’.

VENDIM PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIN 2020, MIRATUAR PËR MINISTRINË E SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE, PËR MARRJEN E MASAVE PËR PLOTËSIMIN E NEVOJAVE PARAPRAKE PËR INFEKSIONIN E SHKAKTUAR NGA COVID-19

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, ‘Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, ‘Për buxhetin e vitit 2020’, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në programin ‘Planifikim, Menaxhim dhe Administrimi’, i shtohet fondi prej 400 000 000 (katërqind milionë) lekësh për marrjen e masave për plotësimin e nevojave paraprake për infeksionin e shkaktuar nga COVID-19, i ndarë, përkatësisht,:

200 000 000 (dyqind milionë) lekë në kategorinë e shpenzimeve kapitale;

200 000 000 (dyqind milionë) lekë në kategorinë e shpenzimeve korrente.

2. Efekti financiar, prej 400 000 000 (katërqind milionë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2020.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në ‘Fletoren zyrtare’.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Modifikuar më Hënë, 09 Mars 2020 18:10
Login to post comments