Një qytetar nga Durrësi ka përgënjeshtruar deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë, sipas së cilës, 73-vjeçarja që humbi jetën nga koronavirusi sot në Durrës ka qenë e vetme në dhomë.
Sipas qytetarit në një intervistë ekskluzive për Report TV, e moshuara që ndërroi jetë sot ka qenë në dhomë edhe me dy gra të tjera për 4 ditë, njëra prej të cilave e ëma e tij 84-vjeçare.
Shkëlqim Buziu thotë gjatë intervistës së 73-vjeçarja deri në moment të fundit nuk kishte treguar pranë autoriteteve shëndetësore që kishte qenë së fundmi në Itali.
"Ka pasur plot hyrje e dalje të familjarëve. Hynin e dilnin njerëzit. Kontakte fizike ka pasur. Nuk kemi përdorur maska. Ka qenë moskompetenca e këtyre, gabimi fatal i mjekësisë. Kam qëndruar 4 ditë në dhomë me pacienten e sëmurë, bashkë me nënën time. Ne ndenjëm 4 ditë, këta po e bëjnë tragjedi për atë që e mohoi e fshehu dhe ndenji mes nesh. Jo të vinte mes njerëzish, se atje kishte të rinj, pleq, çfarë nuk kanë hyrë e nuk kanë dalë tek ata njerëz. Pa pikë turpi thonë që dhoma ka qenë vetëm. Ne kemi kaluar 3-4 ditë aty", tha Buziu.
Kujtojmë se e ndjera është kthyer dhjetë ditë më parë nga Italia.
73 vjeçarja ishte paraqitur në spital dhe nuk u ka treguar mjekëve se ishte kthyer nga shteti fqinj. Ajo fillimisht është trajtuar për pneumoni dhe është zbuluar se kishte koronavirus pas bërjes së testit.
Para se të paraqitej në spital, gruaja ka qenë në një ceremoni mortore ku ka takuar edhe persona të tjerë.
Gjatë kësaj periudhe, gruaja dyshohet se ka infektuar edhe persona të tjerë, përfshi edhe stafin e spitalit të Durrësit, por ende nuk ka ende një konfirmim zyrtar.