Deri në këto momente në Shqipëri janë testuar 241 të dyshuar për COVID-19, 15 kanë rezultuar pozitiv: Prej tyre, 12 kanë lidhje kontakti me rastin e parë të identifkuar dhe 2 janë raste të reja: 1 në Tiranë, një në Lushnje, ndërsa një e moshuar 73- vjeçare ka ndërruar jetë mesditën e sotme në spitalin e Durrësit.
Kanë përfunduar testimet pasditen e së mërkurës për gjithsej 84 të dyshuar, nga të cilët, 3 kanë rezultuar pozitivë në Tiranë dhe janë kontakte të ngushta të pacientit të parë të konfirmuar me COVID-19. 50 mjekë dhe infermierë të spitalit të Durrësit rezultuan negativë në testin për COVID-19.
Katër persona janë të shtruar në spitalin Infektiv në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, ndërsa 10 prej personave të identifikuar COVID-19 pozitiv janë në vetëizolim pa shenja klinike të infeksionit respirator. 104 persona, kontakte të personave të identifikuar me COVID-19 janë në vetëkarantinim.
Masat e reja të propozuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve:
Mbylljen deri në një njoftim të dytë, të të gjitha bareve, lokaleve restoranteve dhe klubeve, në Tiranë dhe Durrës fillimisht.
Caktimin e një gjobe në masën 5 mijë euro, për të gjithë ata qytetarë që vijnë nga zonat e prekura dhe nuk zbatojnë urdhrin e vetëkarantinimit të detyrueshëm apo ata qytetarë që nuk zbatojnë vetkarantinimin pas konfirmimit të diagnozës.
Caktimin e një gjobe në masën 20 milionë lekë të vjetra për të gjithë baret, restorantet, lokalet apo klubet që nuk e zbatojnë këtë Vendim dhe rihapen në shkelje të tij.
Vendosjen e distancës së sigurisë mes punonjësve, prej 1.5 metra, në të gjitha bizneset që nuk mund të mbyllen për arsye të zinxhirit ekonomik.
Reduktimin në maksimum të personelit të call center-ave, dhe garantimin e distancave dhe të kushteve mbrojtëse për çdo punonjës! Sa me siper, kërkojmë mirëkuptimin tuaj për veten tuaj, për familjet tuaja dhe për familjet e punonjësve tuaj.
Me urdhër të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu më herët është vendosur:
1- Mbyllja për publikun deri në datë 03/04/2020 të
Ambienteve që ofrojnë shërbime në lokale nate
Të ambienteve të mbyllura të dedikuara për argëtimin e fëmijëve dhe të rinjtë, aktiviteteve në palestra, qendra sportive, pishina, qendra internet, qendra kulturore dhe argëtimi
2- Ndalimin deri në datë 03/04/2020 të:
Aktiviteteve sportive, sociale dhe kulturore;
Eksursioneve mësimore të organizuara prej institucioneve shkollore me destinacion brenda ose jashtë vendit;
Ndalimi i procedurave të konkursit për punësim personeli, konkurse shkollimi dhe specializimi.
3- Gjatë ditës, aktivitetet e bareve, restoranteve, lokaleve të ofrojnë shërbim për klientët duke respektuar distancën prej së paku dy metrash ndërmjet tavolinave në vendet ulur, dhë në çdo rast të garantojnë distancën prej së paku një metër të njëriut nga njëriu.
4- Institucionet publike dhe private, të hartojnë sipas fushës së përgjegjësisë së tyre Brenda datës 11.03.2020 një plan masash për sigurimin e ofrimit të shërbimeve prioritare, duke prioritizuar kategoritë e shërbimit kryesisht nëpërmjet ofrimit të shërbimit online, punës në distancë, dhe vetëm në raste të domosdoshme të ofrojnë shërbimin ndërmjet kontaktit fizik. Për shërbimet për të cilat nevojitet kontakti i drejtpërdrejtë me publikun institucionet duhet të pajisin personelin me mjete pune mbrojtëse me qëllim ruajtjen e shëndetit të tyre.
5- Institucionet publike që ofrojnë shërbime pritjeje për publikun në sportel të marrin masa për të shfrytëzuar maksimalisht shërbimet online dhe platformën e-albania.
6- Organet e shërbimit postar duhet të garantojnë vazhdimimësinë e shërbimti dhe të hartojnë një plan masash për të kufizuar kontaktet e punonjësve me publikun dhe për të shmangur grumbullimin e publikut në sportele apo ambiente të tjera të brendshme.
7- Detyrohen të gjithë personat që kanë hyrë në Shqipëri nga zona me rrezikepidemiologjik të identifikuara të tilla prej Organizatës Botërore të Shëndetësise, të plotësojnë skedën e udhëtarit në pikat hyrëse kufitare dhe të vetëkarantinohen detyrimisht për një periudhë 14 ditore nga data e hyrjes në kufi.
MSHMS rekomandon qytetarët që kanë udhëtuar në vendet e prekura dhe kanë shenjat e infeksionit viral të telefonojnë 127 për të marrë udhëzimet e duhura se si të veprojnë mbështetur në gjendjen e tyre shëndetësore.
Bazuar në rekomandimet e OBSH, MSHMS këshillon qytetarët për shtimin e masave të higjenës dhe ndjekjen e këtyre rregullave: Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të rrugëve të frymëmarrjes. Larja e shpeshtë e duarve dhe dezifektimin e tyre, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose mjedisin e tyre. Shmangia e kontaktit të pambrojtur me kafshët (qofshin ato shtëpiake apo të egra). Personat me simptoma të infeksioneve akute të rrugëve të frymëmarrjes duhet të praktikojnë higjienën respiratore të lidhur me kollën (ruajtja e distancës, mbulimi me shami /letër ose rrobe kur teshtijnë apo kolliten, larjen e duarve). Mosprekjen e fytyrës me duar.
Situata ndërkombëtare sipas ECDC-së është si më poshtë:
Në nivel global, janë raportuar në total 118 629 raste të konfirmuara me COVID-19, dhe në total 4292 vdekje.
Azi: 98 375 raste të konfimuara- 3540 vdekje
Afrikë: 105 raste të konfirmuara- 1 vdekje
Amerikë: 1256 raste të konfirmuara- 31 vdekje
Oqeania: 117 raste të konfirmuara- 3 vdekje