Në Vlorë janë 10 raste të dyshuara me koronavirus. Lajmin e ka konfirmuar prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj. Ai deklaroi se janë dërguar analizat e tyre në Institutin e Shëndetit Publik ku 8 raste rezultuan negative.
Priten përgjigjet e analizave për 2 rastet e tjera.
”Siç e shihni janë marrë të gjitha masat për të parandaluar dhe për të mbajtur në kontroll të gjithë situatën në gjithë territorin e qarkut dhe jo vetëm në Bashkinë e Vlorës.
Ne po punojmë me Inspektoriatin Shëndetësor edhe me operatorin e kujdesit shëndetësor, me të gjitha bashkitë, me policinë bashkiake dhe me këdo tjetër për të mbyllur lokalet, restorantet dhe njësitë e shërbimit që bëhen shkak për grumbullimin e njerëzve. Deri në këto momente na rezulton që është zbatuar urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë dhe shpresojmë që të gjitha monitorimet që po bëjmë në terren në bashkëpunim me strukturat e shëndetësisë dhe bashkive, që të mos kemi raste të grumbullimeve të tjera.”
”Ajo që është pozitive për tu thënë është se për ditën e djeshme dhe të pardjeshme kanë qenë 8 mosntra të cilat janë dërguar dhe kanë dalë negativë. 2 monstra janë dërguar dje dhe priten përgjigja sot. Shpresojmë që si qark të mos jemi të prekur.
Përsa i përket aktiviteteve kanë filluar gjobat për tu vendosur sepse urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë ka dy ditë në zbatim dhe ne po bëjmë të gjitha përpjekjet maksimale për të gjetur jo vetëm mirëkuptimin e të gjithëve por edhe për të zbatuar vendimet e marra. Jemi në terren për të koordinuar masat e marra. I bëj thirrje njësive të shërbimit që ta marrin me seriozitet dhe të bëhen mbështetës për të mos patur grumbullime të njerëzve”, u shpreh ndër të tjera Mamaj.