Një person i shtruar në spitalin e Shkodrës ka ndërruar jetë në reanimacion në mesnatë.
59-vjeçari, me inicialet M.S., ka rezultuar pozitiv për Covid-19 të dielën në mëngjes.
Në media u raportua se 59-vjeçari ndërroi jetë si pasojë e koronavirusit, por Ministria e Shëndetësisë, me anë të një reagimi, thotë se pacienti në fjalë e ka humbur jetën si pasojë e hemorragjisë cerebrale.
MSH e pranon që pacienti ishte i infektuar me koronavirusin, por shton se ishte bartës pa simptoma.
Kështu, vdekja e 59-vjeçarit nuk do të raportohet zyrtarisht si vdekje Covid, pasi është dalë në përfundimin se virusi nuk ka pasur ndikim.
Ministria e Shëndetësisë informon se në Shkodër ka nisur një hetim epidemiologjik, pas konfirmimit të një infermiereje të spitalit rajonal Shkodër pozitiv në 24 orët e fundit (rasti i personelit shëndetësor i raportuar në deklaratën për media të ditës së sotme).
Sipas epidemiologëve dhe përfaqësuesve të Institutit të Shëndetit Publik që po kryejnë hetimin epidemiologjik në terren, dyshohet se ky rast është i lidhur me rastin e infermieres, e cila, sipas hetimit epidemiologjik, është infektuar në komunitet.