Ilva Tare/ Euronews Albania
Mbrëmë kisha në intervistë Zv/Kryeministrin e vendit Erion Braçe dhe nga dje e sot mediat kanë publikuar pohimin e tij se kontratat e miratuara me vendimet e qeverisë, pra VKM, janë të publikuara në Fletoren Zyrtare nuk janë sekrete. Ky qëndrim erdhi pas akuzave të opozitës e cila prej ditësh bën publikisht pyetjen përse janë bërë tendera sekrete dhe përse nuk publikohen kontratat e tenderave me të cilët janë blerë maskat apo kit-et në këto ditë krize nga coronavirus.
Edhe kryeministri i vendit në një video-përgjigje për akuzat e opozitës në fundjavë deklaroi se tenderat nuk janë sekrete. Por, deri në këto momente kontratat e këtyre tenderave nuk janë bërë publike.
Euronews Albania ka kërkuar nëpër publikimet e VKM-ve në Fletoren Zyrtare, por për tenderat në fjalë nuk është publikuar kontrata apo teksti bashkëlidhur siç thuhet në përmbajtjen e VKM. Pyetja që duam të shtrojmë sot për përgjigje nga qeveria është; Perse nuk publikohen kontratat meqenëse nuk janë sekrete? Përse nuk ka transparencë për këto tendera?
Të vetmet kontrata që nuk publikohen janë ata që përfshihen në nenin 6 të ligjit të prokurimeve publike, janë ato sekrete, për të cilat ka masa të veçanta sigurie dhe diktohen nga interesa thelbësore të shtetit.
Kryeministri dhe zv Kryeministri i Shqipërisë thonë që nuk është ky rasti dhe tenderet nuk janë sekrete. Atëherë perse nuk publikohet ne Fletoren Zyrtare dhe kontrata apo teksti bashkëlidhur? A është transparente kjo?
Transparanca e plotë, dhe jo humori e as sarkazma është ilaçi i çdo dyshimi që mund të thërrmohet me fakte e faqe të publikuara në emër të ndershmërisë politike dhe institucionale. Qeveria të bëj transparente kontratat!