Në 24 orët e fundit ka pasur rritje të rasteve të shtruara në spitalin Infektiv nga koronavirusi. Tre raste kanë ardhur mbrëmjen e kaluar, një nga Shkodra, një nga Kruja dhe një nga Tirana.
Pas analizave përsëritëse, pra tamponi i dytë, një prej rasteve ka rezultuar negativ. Por megjithatë pacienti po mbahet i shtruar në Infektiv deri sa t’i nënshtrohet analizave të tjera, pasi ka ndodhur që një analizë e vetme të mos tregojë rezultatin real të infeksionit.
Aktualisht janë 17 persona në Infektiv, mes tyre dhe një grua shtatzënë që ka dy javë e shtruar në spital. Mjekët thonë që gjendja e saj është e përmirësuar në krahasim me momentin kur erdhi dhe konsiderohet një gjendje e moderuar. Ndërkohë që prej më shumë se një muaji ka nisur analiza e serologjisë, të cilës i janë nënshtruar deri tani 1000 punonjës të personelit mjekësor dhe infermieror, një mesatare 33 analiza në ditë, në një kohë që MSH ka lajmëruar se kësaj analize do t’i nënshtrohen gjithë personeli mjekësor, infermieror, policia e Shtetit që së bashku numërojnë 28 mijë punonjës, para se kësaj analize t’i nënshtrohet e gjithë popullata.
Me këtë ritëm, me 33 analiza në ditë dhe 1000 në një muaj do të duhen 28 muaj për të përfunduar analizat vetëm të punonjësve infermierorë, mjekësore e policisë. Analiza serologjike është një analizë gjaku që tregon nëse në trupin e një personi janë krijuar apo jo antitrupat kundër COVID-19, që në vetvete dëshmon nëse e ka kaluar ose jo koronavirusin. Sipas ekspertëve në vend dhe në botë kjo analizë është shumë e rëndësishme sepse do të tregonte nivelin e imunitetit në popullatë.
Deri më tani qeveria shqiptare e ka ndaluar kryerjen e analizës serologjike në laboratorët privatë duke mos licencuar asnjë prej tyre. I vetmi laborator i certifikuar nga komiteti teknik i MSH është laboratori i mikrobiologjisë në QSUT, i cili ka bërë 1000 analiza në 1 muaj./balkanweb/