Posta e Kosovës po përballet me një krizë të shkaktuar nga COVID-19. 12 punonjës të saj, bashkë me familjet, përfshirë fëmijët, janë infektuar nga koronavirusi. Gjithçka ka ndodhur sepse nuk e kanë respektuar aspak distancimin fizik.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Postës së Kosovës, Etrit Hoti, deklaroi sot se “nga e premtja po përballemi me gjendjen më të rëndë në historinë e Postës së Kosovës.
Infektimi i një numri kaq të madh të punëtorëve e faktkeqesisht edhe anëtarë të familjeve të tyre, na ka shokuar.
Dhjetëra të tjerë janë në ankth e presion psiqik në pritje të rezultateve e u bë një javë nga konfirmimi i rastit të parë.
Pse na ndodhi ky tmerr në Postë? A ka qënë e mundur të parandalohet që së paku të mos marrë përmasa kaq të mëdha?
Në asnjë zyrë në Drejtorinë e Postës nuk është respektuar distanca fizike as 30 centimetra!!
Deri më tani janë 12 kolegë janë konfirmuar pozitivisht. Prej tyre edhe familjarë, përfshirë fëmijë!
Dikush duhet me dhënë përgjegjësi për këtë fatkeqësi që ka ndodhur e po ndodh në Postën e Kosovës!
Kolegëve ju uroj shërim të shpejt. Jemi me ju.”