Shqipëria izolohet plotësisht dhe nuk mund të shërbejë as si vend tranzit

E Enjte, 02 July 2020 13:11

Dita e djeshme shënoi dhe hapjen e kufijve të Bashkimit Europian, i cili lejon kalimin lirisht të njerëzve midis vendeve anëtare të tij si dhe një listë shtetesh që BE i konsideron të sigurtë në raport me pandeminë e koronavirusit, në këtë listë vihet re që përjashtohet vendi ynë.

Qytetarëve shqiptarë u ndalohet kalimi në vendet e BE-së si dhe anasjelltas. Madje Shqipëria nuk mund të shërbejë as si pikë kalimi tranzit për qytetarët europianë që synojnë të shkojnë në Greqi. Kjo situatë e izolon krejtësisht vendin tonë dhe i jep një goditje të fortë industrisë së turizmit, e cila është e varur në mënyrë substanciale nga lëvizja e lirë.

Në Kapshticë kanë mundur të kalojnë vetëm shqiptarë banues në Greqi, të pajisur me dokumentet përkatëse, që vërtetojnë se iu është dashur dalja drejt Greqisë, apo edhe mjetet e transportit të mallrave. Qarkullimi është i mbyllur edhe për qytetarët me pasaporta biometrike.

Shtetas të huaj kanë tentuar të kalojnë në Kapshticë ditën e sotme tranzit për në Greqi, por edhe këtyre të fundit u është ndaluar hyrja. Turistëve francezë dhe zvicerianë u është dhënë shpjegimi nga pala greke se hyrja është e ndaluar prej situatës të krijuar nga Covid-19.

Qytetarëve të Bashkimit Europian u është bërë me dije se mund të kalojnë nga aeroportet ose nga një pikë kufitare në Sofje. Situata është bërë mjaft e paqartë për shtetasit e huaj, pasi janë detyruar të udhëtojnë deri në Kapshticë dhe dita-ditës marrin përgjigje të ndryshme./faxweb/

Login to post comments