Në lidhje direkte me ‘A-Show’ në Syri Tv me gazetarin Adi Krasta, autori Fabian Kati, i cili jeton prej 30 vitesh në emigrim, ka folur për raportin e tij me Shqipërinë se si e shikon ai sa herë që vjen por edhe për atë që ndodh me vendin e tij.
‘Kur largohesh, fokusohesh në jetën tënde të re. Gjatë 30 viteve larg kemi mësuar shumë. Kemi studiuar dhe punuar. Shkollën e parë e bëra në Firence, pasi këtu regjimi nuk më la të shkollohesha dhe më pas vazhdova në Angli.
Ne jemi të parët që thyem murin e bllokimit komunist.
Ne ikëm nga një regjim diktatorial dhe për atë që bëmë në Shqipëri flitet akoma në mënyrë konfuze, ndërkohë që ka qenë çarja e parë që pësoi regjimi.
Ne në atë formë treguam një farë heroizmi, kuptohet se çfarë mund të ndodhte në atë ditë, mori për mirë, por mund të shkonte edhe më keq.
Ajo që ndodhi me emigrantët më vonë është pak specifike. Me ikjen tonë tentuam të godasim regjimin. Intervistën e parë mbaj mend që e dhamë në Brindisi për New York Times, ku pyetja ishte: ‘Çfarë do bësh tani që po largohesh nga Shqipëria’.
Dhe unë thashë: ‘Ne duhet të luftojmë që tashmë gjithë shqiptarët të jenë të lirë. Ne duhet të rrëzojmë diktaturën. Se si do e bëjmë këtë, nuk e di.’