Vlora nuk qetësohet. Operatorët turistikë, restorantet dhe baret e Vlorës kishin paralajmëruar se nëqoftëse se qeveria nuk i lejon të punojnë në këto ditë të verës, kur mund të fitojnë diçka nga turizmi, atëhere ata do jenë të falimentuar.
Dhe nëse nuk ka përgjigje, do të dalin në protesta.
Mëqënëse qeveria nuk pranoi kërkesën e tyre, ata dolën në protestë.
E gjitha nisi nga protesta e ndërmarrë nga operatorët turistikë përgjatë zonës së Lungomares në Vlorë. Këta të fundit, pas orës 22:00, që përkon dhe me orarin për ndalimin e muzikës, vendosën në sfond, kolonën zanore të Himnit Kombëtar.
Operatorët në këtë pjesë të qytetit, ditët e fundit kanë paralajmëruar protesta, pasi janë kundër orarit aktual të lejimit të muzikës. Ata kërkojnë zgjatje të saj, pasi sipas tyre, kjo masë ka ndikuar negativisht në mbarëvajtjen e biznesit, në këtë periudhë të vitit, ku dhe qyteti frekuentohet nga qindra turistë vendas e të huaj.