Besimtarët myslimanë si në mbarë botën ashtu edhe në Shqipëri, sot kremtojnë festën e Kurban Bajramit. Si çdo vit, në sheshin kryesor të Tiranës, sheshin “Skënderbej” besimtarët myslimanë falën Namazin e Bajramit.
Ky është viti i dytë i faljes së Namazit, nën situatën e pandemisë. Nën drejtimin e kreut të KMSH, Bujar Spahiut, besimtarët myslimanë janë lutur për më shumë shëndet, mirësi e mirëqenie. Kurban Bajrami njihet ndryshe si “Festa e Flijimit” dhe është një nga dy festat islame më të rëndësishme të cilën e kremtojnë myslimanët në mbarë botën, pas Fitër Bajramit. Pas lutjeve në Shqipëri në ditët e Kurban Bajramit, besimtarët vishen me rrobat më të mira dhe vizitojnë njëri-tjetrin duke uruar për mbarësi e lumturi.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Përmes një videomesazhi, kreu i KMSH-së, Bujar Spahiu theksoi se Kurban Bajrami është një festë e rëndësishme në fenë islame, ndërsa apeloi për falje dhe pajtim me njëri-tjetrin.
Festa, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijoj djalin e tij si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhynte, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftoj Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë. Mishi nga kafsha e flijuar ndahet në tre pjesë. Familja mban një pjese; pjesa tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa pjesa e mbetur i ndahet të varfërve dhe nevojtarëve.
“55” iu uron të gjithë besimtarëve myslimanë Gëzuar Kurban Bajramin!