Ende qeveria është e vendosur në qëndrimin e saj kriminal për të mos ua miratuar statusin një prej kategorive më të vuajtura në vend, punëtorët e nëntokës, minatorët. Prej vitesh minatorët e Shqipërisë kërkojnë që t’i jepet statusi, në mënyrë që të garantojnë më shumë mbrojtje dhe të drejta, por një gjë e tillë ende nuk u është bërë e mundur.
Ata zgjodhën 1 Majin, Ditën e Punëtorëve, për të protestuar ndaj kësaj padrejtësie që u bëhet. Minatorët thonë se nuk u është dhënë statusi pasi është marrë një vendim politik nga ana e qeverisë.
Në manifestimin e tyre pranë “Ushtarit të panjohur”, kryetari i Sindikatave të Shqipërisë Kol Nikollaj i bëri apel qeverisë që të miratojë statusin e minatorit për punonjësit e nëntokës, si një e drejtë legjitime e kësaj shtrese të shoqërisë. Nën sloganin “ndal nëpërkëmbjes së punëtorëve”, ata kërkojnë kushte më të mira pune dhe rritje të pagave, pasi kushtet e tyre të punës lënë për të dëshiruar. /55news.al/