Në mbledhjen e zhvilluar të mërkurën, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi Deklaratën dhe Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2017.
Në këtë raport, Banka e Shqipërisë vlerëson se zhvillimet në ekonominë reale dhe tregun financiar, mbështetën zgjerimin e veprimtarisë së sistemit financiar në vend.
Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të veprimtarisë ishte më i kufizuar, ku evidentohet përmirësimi i ndjeshëm i cilësisë së portofolit të kredisë në të gjithë elementet përbërëse.
Aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet e veprimtarisë, në kushtet e niveleve të larta të likuiditetit, kapitalizimit të mirë dhe përfitueshmërisë, mbetet e plotë.
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë miratoi disa ndryshimeve në rregulloren “për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”.
Këto ndryshime synojnë shtimin e kërkesave për mbrojtjen e konsumatorit, me qëllim përafrimin e legjislacionit shqiptar me direktivat evropiane të kësaj fushe.
Ndryshimet e miratuara, krahas disa kërkesave për bankat, parashikojnë dhe të drejtën e konsumatorit për të kërkuar konvertimin e kredisë në monedhën në të cilën gjeneron të ardhurat.
Njëkohësisht është miratuar edhe rregullorja “mbi planet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme”. /ScanTv