Lufta kundër krimit të organizuar është një nga prioritetet e përbashkëta të Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu është shprehur Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu, i cili thekson se në luftën kundër krimit të organizuar përfshihet, trafikimi i drogave të paligjshme, armëve, qenieve njerëzore si dhe kontrabandimi i mallrave.
Ambasadori Lu, iu bashkua personelit të Programit për Kontrollin e Eksporteve dhe Sigurinë Kufitare (EXBS) për t’i dhuruar Policisë Kufitare dhe Administratës Doganore pajisje për zbulim dhe inspektim.
“Këto pajisje, vlera e të cilave arrin në rreth 130,000 dollarë, do të përdoren në disa prej pikave kryesore të kalimit kufitar në Shqipëri. Që prej fillimit të veprimtarisë së tij në Shqipëri në vitin 2003, programi EXBS i ka ofruar Policisë Kufitare dhe Administratës Doganore trajnime, pajisje dhe mbështetje me vlerë rreth 5 milionë dollarë në kuadër të përpjekjeve për zhvillimin e kapaciteteve të sigurisë kufitare”, thuhet në postimin e ambasadës së SHBA-së në Tiranë.