Qeveria e Izraelit dhe transmetuesi kombëtar i këtij vendi kanë arritur marrëveshjen për mbajtjen e Eurovizion 2019. Gazeta izraelite Haaretz ka raportuar se kriza rreth mbajtjes së Eurovizionit 2019 në Izrael është zgjidhur pasi qeveria izraelite dhe transmetuesi kombëtar arritën një marrëveshje. Shqetësimet rreth konkursit që do mbahet vitin tjetër u shfaqën ditë më parë kur kreu i transmetuesit izraelit, KAN, i bëri apel Kryeministrit të Izraelit për ndihmë në përmbushjen e kërkesës së EBU- së për një garanci prej 12 milion euro për t’u vendosur në një llogari bankare zvicerane për të siguruar konkursin. Afati i dhënë nga EBU për fondet që do të depozitohet është sot. Kryeministri Benjamin Netenjahu kërcënoi të mbyllte transmetuesin kombëtar izraelit nëse nuk do të paguante me kohë. Megjithatë, KAN argumentoi se shteti izraelit duhet të paguajë për garancinë pasi që nëse transmetuesi kombëtar do e bënte këtë si pasojë do kishte shkurtim fondesh pasi që nuk ka buxhet të mjaftueshëm. Izraeli fitoi të drejtën për të organizuar konkursin e këngës në Eurovizion 2019 pasi Neta ishte fitimtare në edicionin 2018 në Lisbonë të Portugalisë me këngën Toy. Kjo ishte fitorja e katërt e Izraelit në historinë e konkursit.
***
Monako nuk do të rikthehet për t’u bërë pjesë e Eurovizionit as vitin e ardhshëm. Transmetuesi kombëtar i Monakos ka konfirmuar se nuk do të jenë pjesë e Eurovizionit as vitin e ardhshëm. Monako për herë të parë ka marrë pjesë në vitin 1959, ka fituar garën një herë në vitin 1971 ndërsa janë larguar nga gara në vitin 1980 për tu rikthyer në vitin 2004 deri në vitin 2006, ku më pas u larguan përsëri.