Kristaq Mitro: Ministria e Kulturës shkatërroi teatrin, s'ka kohë të merret me filmin

Hënë, 20 August 2018 10:29

Regjisori dhe pedagogu i shquar Kristaq Mitro, me një karrierë të gjatë e të suksesshme në Kinostudion “Shqipëria e re”, i vlerësuar për kontributin e tij në kinematografinë shqiptare, shprehet me pesimizëm për kinemanë shqiptare dhe për filmin artistik shqiptar. Mitro ka realizuar mbi 12 filma artisticë së bashku me regjisorin e ndjerë Ibrahim Muça, ku më të suksesshmit janë “Tokë e përgjakur”, “Liri a vdekje”, “Apasionata”, “Duaje emrin tënd”, “Njeriu i mirë”, “Telefoni i një mëngjesi”, "Nje djale dhe nje vajze" etj.  Në një intervistë në media regjisori Mitro shprehet se sot për flimin nuk ka as para, as profesionalizëm dhe as vëmendje nga shteti dhe institucionet.  

“Në kohën e Kinostudios investohej njëlloj për të gjithë filmat dhe cilësia varet edhe nga ata që e bëjnë filmin, regjisori, operatori, etj. Një grup i mirë për filmin sjell dhe cilësi. Në kohën e Kinostudios me realizimin e filmit mendoj që bëhej më tepër punë, sepse ishte e përgatitur. Ne ishim të përgatitur në atë kohë me filmat, dhe nuk shkonim në shesh xhirimi me filmin artistik, që ditën e parë. Nuk ndodh askund që direkt të marrin të bëjnë një film artistik. Mendoj që ka një radhë pune dhe kjo duhet të jetë për të gjithë me filmin artistik. Nuk mundet dikush që sa mbaron shkollën direkt të fillojnë punë me filmin artistik. Unë si kineast dikur nuk mund të bëja punë me filmin artistik “Dimri i fundit” pa kaluar më parë në disa stade të tjera, kronika, dokumentari. Unë e shikoj të vështirë këtë punë, që të arrish të bësh direkt film artistik. Unë them që duhet të kesh një përgatitje të madhe për filmin artistik dhe jo të thjeshtë, sepse regjisori duhet të jetë si një enciklopedi për filmat. Kur të fillosh filmin duhet të jesh i përgatitur në kamera, mizanskenë, në dramaturgji dhe mjeshtëri aktori. Ne në ato vite vinim nga shkolla e mjeshtërisë së aktorit. Nuk kishim ne mundësi siç janë sot, por mendoj që kishim më shumë, sepse ne në shkollë 4 vite bënin lëndën e mjeshtërisë së aktorit”. Lidhur me skenarët dhe punën që bëhej në Kinostudio Mitro shton se “atë kohë,  Kinostudio ishte një akademi. Ne aty mësuam të punojmë në film. Sot Kinostudio nuk është më, godina iku e mori Ministria e Kulturës. Nuk ka më asgjë nga Kinostudio dikur dhe më vjen shumë keq për këtë. Por në Shqipëri dihet se si venë punët dhe sot për kinemanë shqiptare ka shumë probleme për realizimin e filmit, kemi mungesë kinemash etj.” Por, sipas Mitros mungesa e vëmendjes është shumë më e madhe sesa veët krijuesit. “Nuk e kthen njeri vëmendjen për filmin shqiptar sot. E keni vënë re që vetëm për kinemanë shqiptare dhe problemet e saj nuk flasin fare ata që drejtojnë sot. Madje këta politikanët tanë mundet të thonë dhe këtë që nuk dinë nëse bëhet film apo jo në Shqipëri, ose të dinë se çfarë mban AQSHF. Nuk është vëmendja te kinemaja, që vetëm bën filmin dhe e mbyll në AQSHF. Duhet bërë shumë -shumë më tepër për kinematografinë shqiptare”.

Që nga viti 2012, kur u zhvillua Festivali i 13-të i Filmit Shqiptar, kanë kaluar 6 vjet dhe askush nuk kuijtohet për festivalin e radhës, një festival që zhvillohej një herë në dy vjet e më vonë, e shumtam në pesë vjet. Regjisori Mitro mendon se “është koha për festivalin mbarëkombëtar të filmit shqiptar. Ministria e Kulturës duhet të ndihmojë QKK të zhvillojë një festival filmi të tillë, sepse ai nuk duhet të bëhet me buxhetin e qendrës. Nuk mundet dot vetë QKK ta zhvillojë festivalin ku të jenë pjesëmarrës dhe filma me regjisorë shqiptarë nga Kosova apo dhe Maqedonia. Por pyetja ime është a e bën dot kjo ministre Kulture festivalin? Dihet çfarë ka bërë deri tani ministrja për artin, asgjë. Ministrja nuk ka fare ndërmend të merret me filmin shqiptar. Ministria e Kulturës teatrin e shkatërroi, jo më të mendojë dhe filmin. Puna është që nëse nuk ke histori nuk të përfill më njeri. Por këtu në art dhe kulturë tek ne ka marrë fund çdo gjë”, e mbyll me pesimizëm intervistën e tij regjisori i mirënjohur Kristaq Mitro.

Modifikuar më Hënë, 20 August 2018 10:31
Login to post comments