Poetë shqiptarë në ”Mbrëmjet strugane të poezisë”

E mërkurë, 22 August 2018 10:47

Me leximin tradicional të ”Mallit të Konstantinit” dhe ndezjen e zjarrit të festivalit para Shtëpisë së Poezisë, fillon sonte edicioni i 57-të i festivalit ”Mbrëmjet strugane të poezisë”, që deri më 27 gusht do të mbahet në zona të ndryshme të Strugës dhe në disa qytete të vendit dhe ku marrin pjesë edhe poetë shqiptarë. Sipas traditës, do të mbillet një pemë në Parkun e Poezisë për nder të fituesit të mirënjohjes më të lartë të festivalit “Kurora e artë” për poetin polak, Adam Zagajevski, ku do të lexohet poezi, e më pas do të ketë konferencë për shtyp me laureatin.

Nesër në program është prezantimi i portretit të Mihail Renxhov, fituesit të vitit të kaluar të çmimit “Vëllezërit Milladinov” për librin më të mirë poetik në gjuhën maqedonase të botuar mes dy edicioneve të festivalit dhe lexime poetike të poetëve nga zgjedhja më e ngushtë për këtë çmim për vitin 2018.

Festivali do të prëfundojë të dielën me manifestimin “Urat” dhe dorëzimin e çmimeve “Kurora e artë”, “Vëllezërit Milladinov” dhe “Urat e Strugës”.

Në edicionin e 57-të të ”Mbrëmjeve strugane të poezisë” do të marrin pjesë 30 poetë nga 29 vende, mes të cilave Polonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Izraeli, Greqia, Shqipëria, Mongolia, Suedia, Armenia e tjerë si dhe rreth 50 poetë nga Maqedonia.

Login to post comments