Edhe një tjetër film për moshën e tretë. Kohët e fundit janë shtuar prodhimet kinematografike për këtë moshë, si duket kjo vjen edhe nga vetë plakja e regjisorëve. Pas Saimir Kumbaros “Ne dhe Lenini”, Edmon Topit, Ylljet Aliçkajt e ndonjë tjetri, edhe Spartak Pecani i ritkhehet kësaj teme, që ka si protagonistë po ata aktorë. Pa e paragjykuar, thuhet në një njoftim të QKK se xhirimet e filmit ”Bolero në vilën e pleqve”, skenari i të cilit është me motivet e veprës së Fatos Kongolit me të njëjtin titull, Kanë përfunduar. Në këtë film luajnë aktorët Robert Ndrenika Margarita Xhepa (janë edhe në filmat e tjerë me këtë temë) , Gentiana Ramadani, Afrim Muçaj, Olta Gixhari, Olta Daku,Ledjon Zoi etj.
Kamera Latif Hasolli ndërsa kostumografi është realizuar nga Gerta Oparaku. Regjinë e filmi ”Bolero në vilën e pleqve” e ka bërë Spartak Pecani, i cili për realizimin e skenarit ka bashkëpunuar edhe me Linda Fejzaj.
Në qendër të filmit një çift pleqsh që janë të detyruar të jetojnë të vetëm në fundjetën e tyre edhe pse kanë tre fëmijë.Biri i tyre u siguron një punëtore shtëpie, në dukje një vajzë e qetë dhe e përkushtuar ardhur nga s’dinë se ku, por vajza e pleqve që në impaktin e parë duket se nuk e pëlqen aspak mysafiren e re në shtëpinë e prindërve, kjo do të bëj që ajo të shkoj përtej pyetjeve të drejtpërdrejta, duke bërë që të zhbiroj mbi jetën e saj nga ku mëson se me kë ka të bëjë. Punëtorja që jeton në vilë ka një të kaluar të errët për mendimin e vajzës së pleqve, për më tepër edhe prirjet e saj janë në kundërshti me parimet dhe principet që ajo ka. Dhe nuk mbaron këtu.
Spartak Pecani është regjisor i shumë filmave, duke nisur nga fundi i viteve 70-të, me 40 vjet karrierë, ku ndër filmat e tij më të arrirë përmendim: 1977: Streha e re,
1980: Ne vinim nga lufta, 1981: Si gjithë të tjerët, 1983: Kohë e largët, 1984: Shirat e vjeshtës, 1985: Të mos heshtësh, 1986: Fjalë pa fund, 1988: Treni niset më shtatë pa pesë, 1990: Vetmi, 1995: Përdhunuesit, 2008: Sekretet, etj.