Në të gjithë Shqipërinë pasuritë kulturore po vëzhgohen dhe mirëmbahen në mënyrë sistematike nga specialistët e Drejtorive Rajonale të Trashëgimisë Kulturore. Instituti i Monumenteve të Kulturës ka hartuar projektin për “restaurimin e banesës së Myzafer Karagjozit”, Gjirokastër. Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve parashikon ndërhyrje konsoliduese – restauruese në objekt. Banesat e bukura gjirokastrite gëzojnë karakteristika të veçanta që lidhen me terrenin mbi të cilin janë ndërtuar. Gjirokastra ka 56 banesa monumente kulture të kategorisë së parë, 502 të kategorisë së dytë dhe shumë komplekse të tjera me vlera historike, arkitektonike dhe kulturore. Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta, që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar. Kujdesi, mirëmbajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore është një mision i përbashkët, për t’i përçuar këto pasuri, në mënyrën e duhur, tek brezat e ardhshëm. Instituti i Monumenteve të Kulturës mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.