Drama “Prostituta” shkruar dhe me regji nga Leka Bungo shënoi mbrëmjen e fundit në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli. Mbrëmjet e datave 24 dhe 25 dhjetor vepra u shfaq për publikun në sallën Moliere. Autor dhe regjisor në shfaqje Bungo rolet në vepër ia besoi aktorëve Viktor Zhusti, Julinda Emiri, Bujar Asqeriu, Mehdi Malka, Natasha Sela, Vangjel Toçe. Skenograf dhe kostumografia nga Pano Kondo, formulimi muzikor Diana Ziu, as/regjisore Klaudia Bastari dhe producent Edmond Topi. Më herët autori Leka Bungo është shprehur se ka qenë një vepër, që nuk ka mundur dot ta realizojë më parë si premierë në skenën teatrore.
“Një vepër, që është e shkruar nga unë dhe me regjinë time. Një produksion i pavarur. Në role janë aktorë të teatrit që publiku i njeh, por dhe emra të rinj. Në shfaqjen luan dhe aktorja e re Julinda Emiri. Nuk kam pasur mundësi më parë për premierën në skenë, sepse në Teatrin Kombëtar nuk e kanë miratuar”, pohon regjisori Bungo. Sipas tij, është një vepër teatrore që përcjell mesazhe të forta dhe një temë shqiptare.
“Është një dramë serioze dhe profesionale, dhe besoj se do të ketë mjaft interes. Kjo sepse tema është shumë shqiptare dhe e bukur, por ka edhe emocione”, vijon regjisori Leka Bungo.
Regjisori Leka Bungo për këtë vepër shprehet gjithashtu se është e shkruar para disa vitesh kur jetonte në Amerikë. “E kam shkruar para tetë vitesh kur isha në Nju Jork. Vepra ka vërtetë mesazh të kohës”, pohon ai. Si autor ai tregon se drama në thelb ka konflikt ndërmjet filozofisë së hakmarrjes dhe faljes, ku sipas tij duhet të triumfojë falja. “Drama rrek të prekë problemin e trafikimit të qenieve njerëzore. Në qendër është një viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore, një vajzë 16 vjeçare. Drama fillon kur ajo kthehet nga Italia në Shqipëri, dhe vjen për t’u hakmarrë ndaj atij që e çoi në Itali, por atë e gjen deputet. Ai ka qenë dikur skafist në Vlorë dhe kur vjen në Shqipëri e gjen deputet. Hakmarrja që kërkon të bëjë ajo është krejt origjinale sipas mendimit tim. Ajo përcjell një mesazh, që është pothuajse edhe në Bibël i shënuar, që do të thotë njerëzit duhet të falin jo të hakmerren, kjo është një nga tezat e Biblës”, pohon regjisori Leka Bungo.