Intervistë ekskluzive me Dr. Luan Topçiun
Dr. Luan Topçiu është sot një emër i njohur për kulturën shqiptare, një personalitet i rëndësishëm, eseist, përkthyes, leksikograf, profesor universitar, gazetar, studiues e kritik arti. Ka më shumë se dy dekada që’ jeton ep unon në Rumani. U lind më 22.02. 1962 ne Pogradec. Kreu Liceun Artistik “Jordan Misja”, skulpturë, Tiranë (1980) Fakulteti Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi (A. Xhuvani)(1987)Kurs pasuniversitar, Univ. i Tiranës, gjuhësi shqipe-stilistikë (master) (1990) Kurs pasuniversitar Universiteti i Bukureshtit, Teori letërsie dhe Letërsi e Krahasuar. (1996);Studime doktorature, Letërsi e krahasuar, Titulli i tezës “Ndjenja e mallit në letërsinë e lëvruar dhe popullore shqiptare dhe rumune” (1996-2000)Mbrojtja e tezës së doktoratës, me rezultatin: shkëlqyer (Magna cum laude). Kurs pasuniversitar “E drejtë ndërkombëtare” Univ. i Bukureshtit. (2007) Pedagog i jashtëm në Universitetin e Bukureshtit, (1997-2004) Redaktor në gazetën “Albanezul” (Shqiptari); Kryredektor i gazetës „Albanezul“ (Shqiptari)Bukuresht (2001-2004) Kryeredaktor i revistes „Shqipëria XXI“ (revistë e universitarëve shqiptarë të Rumanisë) Bukuresht (2002-2004); Kryredaktor i revistës „Paradigma XXI“ Bukuresht. Profesor në Fakultetin e Filologjisë Tiranë (2005-2016) pranë Ambasadës së Shqipërisë Në Bukuresht (Minister Keshilltar).
1.Prej sa kohësh jetoni dhe punoni në Bukuresht?
Në Bukuresht punoj dhe jetoj prej 24 vjetësh. Të jetosh në Bukuresht do të thotë që, në një formë apo tjetër, të jesh i shënjuar nga personalitetet shqiptare që kanë lënë gjurmë në historinë e Shqipërisë. Fakti që abetarja e parë e shqipes u botua në Braila të Rumanisë, fakti që emra të tillë të kulturës shqiptare, si Jani Vreto, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Nikolla Naço, Asdreni, Dervish Hima, Lasgush Poradeci, Ibrahim Temo, Mitrush Kuteli, Jashar Erebara, Mihal Grameno, Viktor Eftimiu, Gjergj Bubani, Kristaq Antoniu etj. janë të lidhura me Rumaninë dhe Bukureshtin, të bëjnë të mos mbetesh mënjanës. Ndjeshmëria ime ndaj kujtimeve që rezervon ky qytet rritet dhe prej faktit e të qënit larg vendlindjes, larg gjuhës amtare, nga frika e asimilimit dhe e bjerrjes, nga kërkimi i vazhdueshëm i rrënjëve dhe identitetit. Rumania, dhe veçanërisht Bukureshti, është si një zgjatim i historisë së Shqipërisë. Këtu ndodhen eshtrat e Princit Wilhelm de Wied, në Kishën Lutherane të Bukureshtit; këtu ndodhet kisha ku ka meshuar Fan Noli në gjuhën shqipe; këtu ndodhet "Hoteli Continental", ku Ismail Qemali do të takohej më 5 nëntor 1912 me përfaqësuesit e komunitetit shqiptar të Rumanisë; këtu ndodhet busti i Naim Frashërit, Ismail Qemalit; në Rumani ndodhen busti i Skënderbeut, Ibrahim Temos, Naum Veqilarxhit etj. Gjatë këtyre viteve kam vizituar objekte që gjenerojnë kujtime dhe histori, rrugicat e Bukureshtit të vjetër, kam takuar njerëz që kanë pritur Asdrenin e Mitrush Kutelin në shtëpitë e tyre. Por dhe ngjashmëritë antropologjike midis rumunëve dhe shqiptarëve, e kanë bërë më të lehtë qëndrimin tim në këtë vend, dhe sepse diku, në shtresa të veçanta të historisë, janë themelet e kulturës kombëtare të Rilindjes, gjë që përforcon ndjesinë se po jeton në një mjedis familjar, se nuk të mungojnë themelet e shtëpisë së vjetër etj.
2.Si e vlerësoni komunitetin shqiptar në Rumani?
Komuniteti shqiptar i Rumanisë ka qenë nga më të rëndësishmit në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit të XX, por edhe në periudhën midis dy luftërave botërore. Sipas një raporti diplomatik, numri i shqiptarëve në Rumani ishte rreth 30.000, të vendosur në qytete si Bukuresht, Konstanca, Craiova, Braila, Slatina etj. Sot, duhet të ekzistonin, sipas një rrjedhimi logjik, rreth 100.000 shqiptarë, por, në mënyrë paradoksale, në regjistrimin e fundit të popullsisë janë deklaruar si shqiptarë një numër shumë më i vogël. Një e dhënë e ndërmjetme, që tregon për ekzistencën e konsiderueshme të shqiptarëve në Rumani, është numri i votuesve të Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR), i cili shkon nga 7.000 deri në 10.000 votues. Sot shqiptarët e Rumanisë kanë një përfaqësues në Dhomën e Ulët të Deputetëve, zotin Bogdan Alin Stoika. Vendet në Parlament për përfaqësuesit e minoriteteve u jepen vetëm pakicave etnike historike, ku një vend e ka dhe komuniteti i shqiptarëve të Rumanisë. Drejtuesit e sotëm të organizatës janë të rinj në moshë dhe plot energji dhe kreativitet. Shoqata boton revistën mujore ”Drita”, ndërsa këto ditë do të dalë një revistë shkencore dhe kulturore semestrale “Albanica”, ku ftohen të gjitha forcat krijuese dhe shkencore të sjellin ndihmesën e tyre. Revista “Albanica”, kryeredaktor i së cilës jam, është një projekt i ri i Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë, duke synuar botimin e teksteve të rëndësishme shkruar nga autorë rumunë dhe shqiptarë, në lidhje me komunitetin shqiptar të Rumanisë dhe personalitetet e tij, rreth gjuhës dhe kulturës shqiptare, rreth Rumanisë dhe marrëdhënieve të ngushta ndërmjet dy gjuhëve dhe kulturave, duke përfshirë histori, letërsi, gjuhësi, antropologji, spiritualitet, sociologji, filozofi, arte etj. Gjithashtu, në kuadër të Shoqatës ekziston një formacion muzikor, që këndon muzikë lirike shqiptare. Sapo nxorëm një CD me muzikë shqiptare. Kemi Shtëpinë Botuese “Asdreni”, e cila boton libra me karakter shkencor dhe artistik, që kanë të bëjnë me botën shqiptare etj. Në dy vitet e fundit ka një dinamizim të veprimtarive shkencore dhe kulturore, që lidhen me shqiptarët dhe Shqipërinë. Kështu në kuadrin e vitit të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skëndërbeu, u organizua një Konferencë Ndërkombëtare në Bukuresht. Po kështu u vendos një bust i Skënderbeut në qytetin e Craiova-s. Gjatë vitit që shkoi u organizua një konferencë për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, konferenca “In memoriam Asdreni”- 70-vjet nga vdekja e poetit të hymnit kombëtar shqiptar, u organizua java kulturore shqiptare në Craiova, me muzikë, poezi, ekspozita arti. Në këtë kuadër, Teatri “Petro Marko” i Vlorës dha shfaqjen “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut. Gjithashtu, janë hapur ekspozita në Sibiu, Iasi, Bukuresht të artistëve shqiptarë, Gentian Zeka, Met Axhushi, Fate Velaj, Ardian Fezollari etj, mbrëmje poetike me poezi shqiptare, promovime të librave të Ismail Kadaresë, Rita Petros, Fate Velajt, por dhe të botimeve të Shtëpisë Botuese “Asdreni” në Bukuresht. Janë zhvilluar takime dhe biseda me personalitete rumune në fushën e diplomacisë, artit dhe letërsisë, që njohin Shqipërinë dhe kulturën shqiptare etj. Të gjitha këto bëjnë që gjithnjë e më shumë të zgjohen dhe të na afrohen qytetarë rumunë që janë me origjinë shqiptare, por dhe simpatizantë të shqiptarëve. Nga ana tjetër, nëpërmjet prezencës sonë në jetën kulturore dhe artistike rumune, sidomos në Bukuresht, qyteti i një jete tepër të pasur artistike, arrijmë të promovojmë vlera të mirëfillta të artit dhe kulturës shqiptare bashkëkohore, por edhe asaj historike.
Fakti që kam studiuar dhe kam punuar në këto 24 vite në Rumani, realisht jam përpjekur të ngre ura bashkëpunimi midis popujve tanë. Në çdo pozitë që kam pasur jam përpjekur të bëj të njohur Shqipërinë dhe kulturën shqiptare në përgjithësi. Krahas librave me studime që kam botuar si në Shqipëri, ashtu edhe në Rumani, jam bashkautor i fjalorit të parë akademik shqip-rumanisht (me 40.000 fjalë tituj) dhe kam përkthyer 28 libra. Gjithashtu, jam autor i një antologjie të poezisë shqipe në rumanisht, kam përkthyer Mitrush Kutelin, Lasgush Poradecin, Ernest Koliqin, Fan Nolin, Migjenin, e plot autorë të tjerë shqiptarë bashkëkohorë të njohur. Sigurisht që është e sikletshme të flasësh për rëndësinë e ndihmesës tënde, por, një gjë është e sigurt, se asnjëherë nuk është e mjaftueshme ajo që ke bërë. Gjithmonë duhet punuar për imazhin e vendit, për njohjen e një vendi që më shumë e paragjykojnë se sa e njohin apo refuzojnë ta njohin. Së fundi jam emëruar si Koordinator i Qendrës Kulturore Shqiptare, me qendër në Bukuresht. Së bashku me drejtuesit e ALAR, drejtorin Radu Savulescu dhe deputetin Bogdan-Alin Stoika, kemi një program ambicioz, dinamik, për promovimin e kulturës shqiptare në Rumani dhe më gjerë.
4.Si e vlerësoni shtetin rumun në raport me politikën që ndjek ndaj Shqipërisë?
Rumania është vendi i parë që ka njohur pavarësinë e Shqipërisë, është vendi që ndihmoi komunitetin shqiptar të vendosur në Rumani, gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare. Duke pasur një short të përbashkët historik, Rumania ka kuptuar më mirë se sa shumë vende të tjera situatën politike në Shqipëri dhe aspiratat e popullit shqiptar. Me ndihmën dhe mbështetjen që i dha aktiviteteve patriotike të komunitetit shqiptar, praktikisht, shteti dhe populli rumun kanë ndihmuar drejtpërsëdrejti në realizimin e aspiratave shqiptare, siç ka qenë shpallja e pavarësisë më 1912. Edhe sot Rumania mbetet një nga vendet që përkrah pa rezerva aderimin e Shqipërisë në BE. Siç dihet, Rumania kryeson sot presidencën gjashtëmujore të radhës të Këshillit të Bashkimit Europian dhe një nga prioritetet e shpallura të Qeverisë Rumune gjatë këtij gjashtëmujori është çelja e negociatave të Shqipërisë me BE-në si dhe mbështetja e të gjitha vendeve të Europës Juglindore në procesin e integrimit në BE.
Mungojnë politikat e zhvillimit, ka nënfinancim të arsimit, mungon konkurrenca e lirë dhe meritokracia në institucionet arsimore, por edhe në administratë e diplomaci. Për pasojë, ka degradim të arsimit të lartë, të statusit të profesorit universitar, të gradave shkencore etj. Reformat në arsimin e lartë dëshmuan të jenë një dështim i madh. Problemi është më i thellë se sa kushtet nëpër universitete dhe konvikte. Është sistemi defektos. Për punësimin e njerëzve kriteri i parë që funksionon është afëria politike e kandidatit, servilizmi, nepotizmi, mashtrimi etj. Me fjalë të tjera, nuk funksionon kriteri i profesionalizmit, i karrierës shkencore dhe rezultateve universitare, siç ndodh rëndom në vendet demokratike dhe të zhvilluara. Njoh intelektualë, specialistë të diplomuar nëpër universitete prestigjioze europiane apo amerikane, që askush nuk u ofron asgjë në Shqipëri. Kjo pjesë e elitës braktis vendin. Kultivimi i mediokritetit, i njeriut që ”s’bën asgjë”, është kthyer në një dukuri e përgjithshme. Kjo është një dramë, pasojat e së cilës i ndjejmë sot dhe do t’i ndihen në të ardhmen dhe më shumë. Tradhtohet interesi publik për të favorizuar një grup interesash, me qëllimin e vetëm: pasurimi i tyre. Universitetet në Shqipëri janë shndërruar si qerthuj të mbyllur ndaj konkurrencës së lirë, për pasojë ngjasojnë me ujin e ndenjur që fillon të vijë erë të keqe. Intelektualë shqiptarë punojnë në vendet ku kanë studiuar dhe japin kontribut për këto vende. Ka profesorë universitarë, mjekë të zotë apo shkencëtarë shqiptarë kudo nëpër botë. Këta nuk kanë vend në universitetet shqiptare apo nëpër poste të rëndësishme. Lëvizja studentore e pamanipuluar mund të kryente një proces të domosdoshëm sot, atë të pastrimit të sistemit. Arroganca, degradimi i funksioneve publike, amatorizmi në drejtim, kanë shkaktuar një krizë të thellë që ka mbërthyer vendin. Sigurisht, nuk dua të mohoj punën e disa drejtuesve dhe specialistëve që punojnë me devotshmëri dhe kompetencë. Por këta janë shumë pak. Protestat janë shenja të gjallërisë dhe të rezistencës së shoqërisë shqiptare. Çdo pajtim me të keqen kthehet në një dramë për të gjithë shqiptarët dhe komprometon të ardhmen e vendit.
6.A kanë lidhje protestat apo ngjarjet shqiptare me ato rumune? Kam parasysh se ndryshimet kanë ardhur së pari në Rumani e më pas edhe në Shqipëri.
Rumania ka fituar një kulturë të protestës, të reagimit qytetar, të mospajtimit me të keqen dhe me ligjet që favorizojnë vjedhjen e fondeve publike, shpërdorimin e pushtetit. Reagimi qytetar është shndërruar në një kulturë tashmë. Protestohet për një shoqëri më të drejtë, për një sistem demokratik perëndimor. Kam mendimin se demokracia nuk është një e dhënë e përjetshme, por është një letër e bardhë që shkruhet çdo ditë, me politika demokratike, me qëndrime demokratike, me mendime demokratike, me transparencë demokratike. Në shoqëritë që kanë një të kaluar diktatoriale, gjërat shndërrohen shpejt në të kundërtën e tyre. Është detyra e qytetarëve të vigjilojnë për demokracinë dhe liritë e tyre. Është shumë e vërtetë që shumë prej dukurive që kanë ndodhur në Shqipëri, kanë ndodhur menjëherë pas evenimenteve të ngjashme në Rumani. Modeli i revolucionit rumun të vitit 1989 ishte ai që përshpejtoi ndryshimet e sistemit diktatorial të Enver Hoxhës. Nga ato që ndodhin sot, shumë janë të ngjashme, shumë syresh nuk ngjajnë. Dilemat identitare nuk janë vetëm të Rumanisë, madje dhe popujt e mëdhenj dhe themelues të BE-së shtrojnë pyetje që lidhen me përkatësinë. Nga njëra anë flitet për unitetin e “familjes së madhe europiane”, nga ana tjetër flitet “për diversitetin e vendeve që përbëjnë Bashkimin Europian”. Dilemat dhe pyetjet për identitetin dhe fytyrën europiane të vendit, në radhë të parë i kanë ata qytetarë që dalin dhe mbushin sheshet dhe bëjnë presion mbi klasën politike që ka tendenca autokratike dhe reminishenca nga sistemi komunist. Fundviti i kaluar dhe fillimi i këtij viti ka zgjuar një segment të popullsisë shqiptare. Tek e fundit, dhe lëvizja e studentëve apo dhe kategorive sociale që protestojnë sot në Shqipëri, është një problem identitar. Çfarë rruge do të marrë Shqipëria? Do të shndërrohet në një vend demokratik sipas modelit perëndimor, apo në një autokraci kleptokrate, autokrate, me qytetarë të nënshtruar? Liritë duhet të mbrohen nga të gjithë. Shenja të abuzimit të pushtetit në Shqipëri shihen lirshëm nga mënyra sesi trajtohet prona publike, imponimi i shijes së një njeriu të vetëm gjithë vendit, nga marrëdhëniet e politikës me shtypin dhe median, me të vërtetën. Të shpresojmë se do të ndodhë ajo që duhet për fatet e Shqipërisë. Sot, ka mijëra shqiptarë të mirëedukuar në Perëndim, me tjetër mendësi, që duhet të ndryshojnë elitat politike, por dhe atë akademike, shoqërore, në media etj. Investimi dhe reformimi i sistemit arsimor sot është e vetmja garanci për të pasur një Shqipëri më të mirë nesër.
Shqiptarët dhe rumunët janë nga popujt e vjetër të Ballkanit dhe të Europës. Në asnjë rast nuk do të dëshiroja shmangie nga vlerat europiane dhe euroatlantike. Çdo tendencë që kanë politikanët për të ndryshuar këtë kurs, duhet të ndëshkohen nga qytetarët. Destinacioni ynë i vetëm duhet të mbetet Europa. Por ajo arrihet me demokratizim të mëtejshëm, me arritjen e pavarësisë së tre pushteteve, me një shtyp të pavarur, me funksionimin e konkurrencës së lirë kudo: në ekonomi, administratë, arsim, politikë. Përsa i përket komunitetit shqiptar të Rumanisë, ai nuk duhet lënë të humbasë. Duhet punuar për riafirmim identitetit kulturor dhe historik të tij, një punë që kërkon “koncertim” me shumë institucione të tjera. Inatet, mërzitë, frustrimet personale duhet të lihen mënjanë për çështje me interes madhor.
Intervistoi: Flori SLATINA