Vajzat dhe patat e egra
Njoh një grup vajzash
Dinë të këndojnë si lauresha
Dhe të vallzojnë si Ermonela Jaho,
A nuk janë sak pëllumbesha?!
Në stinët e jetës së tyre, vajzave
U pëlqejnë të shtegtojnë larg,
Ndërkohë çoj nëpër mënd patat e egra
Që lypin çdo vjeshtë një tjetër prag.
E çoj më larg hulumtimin tim absurd
Litar më duket vargoi i patave në ikje,
Dhe zemrat e vajzave nuk di pse më duken
Jele që krijojnë, çerdhë për pritje.
Ky dimër
Ky dimër e mbardhi
Buzëqeshjen e ngërveshur,
Mbi flokët e shpupurishura
Bien flutura bore...
Ah, ky dimër!
I përplasi dyert e zemrës
Në breshëri i çorroveli ëndrrat
Ranë pa frymë.
Ndjenja u zbeh në zbraztësinë e bardhësisë...
Shpirti i braktisur
Mban shtërguar emrin tënd.
Në djall të shkojë ky dimër!
Pranvera erdhi
Edhe pa ty...
Robëreshë e puthjes së parë
Ku shkoi puthja e parë
U fsheh në male
Apo në zall,
U mbyt në lumë
A çeli në fushë
Apo e gëlltiti një drenushë?
Ku shkoi puthja e parë?
Avulloi në det apo u bë vullkan?
E rrëmbyen zogjtë lart në pemë
Me zakonin e panjohur
ngritën folen.
Një ditë të pabesë
Do të të zë në çark,
Do të shkul pemët,
Do të rrëzoj gurët nga mali
Do të bëj hatan...
Erë do të bëhem
E do të bëj zap!
Jam robëreshë e puthjes së parë.
Në se në sytë e tu
Pa e humbur durimin
Tek vetja kërkoje zhgënjimin e diellit,
Dhe mos beso se një re e vetmuar
Mund të mbarsë një stuhi të përçmuar!
Toka nuk u përmbytka për çudi
Në se në sytë e tu mërgon një stuhi...
Sy prej fëmije
Foshnjet flasin me gjuhë qiellore
Engjujt gugaten në këngën e jetës.
Nëna... shpirt më shpirt, nënë
Hyjnisht belbëzon gjuhën e tyre.
Dhe bota njeh gjuhë marrëzie
I pari, të dytin s'e kupton
Flet e flet, askush nuk ndjen
Sikur t'varin në mëndje
Sy prej fëmije
Bota do të mbushej
Me mirësi plot.
Unë jam pak nga çdo grua që kam takuar nga dita që erdha në jetë.
Jam pak nga mirësia e mëmës,
Jam pak nga bekimi i nënes
Jam pak nga llastimi i tezeve
Jam pak nga lutja e motrave
Jam pak nga dashuria e vajzave
Jam pak nga ato qe me duan fort
Jam pak nga miket që më rrethojnë
Jam pak nga jeta qe jep jetë
Përcuese e egzistencës jam,
Jam universi vet,
as nuk barazohem
As nuk krahasohem
Çdo grua është thjeshtë një
MBRETËRESHË!
Këngën që mundesh me e këndue
Mbase nuk e di...
Kur thyhen qelqet e arsyetimeve
Kazani i paradokseve vlon
Krisja mbetet njollë
Bën pis dhe ëndrrat më të dlira.
Zemra e bën provë plasaritjen
Në kohën shtrigane që t’i mpin
Muskujt e trupit e gishtat e dorës,
E ku mundesh me këndue
Veç këngën e Zogut të Dëborës,
Kur nuk gjen dramca
Në sofrat që shtrojmë
Bashibozukë e sejmenë
Abortesh e shtërzimesh,
Ku mundesh me këndue
Veç këngën e atij zogu
Që batin pret me u rroposë
Poshtë brinjëve të tij të brishta tepër.