Imazhi femëror mbetet ndër subjektet më frymëzuese në çdo periudhë të artit pamor lëvruar prej artistëve të dy gjinive. Trajtimi i saj me gjuhën e pikturës në teknika të ndryshme ndër vite vjen në ekspozitën “Përjetësia femërore” kuruar nga Artan Shabani, në rezidencën e Italisë në Tiranë
Janë 36 emra të njohur, mjeshtra të pikturës të cilët pasqyrojnë figurën femërore në bukurinë, forcën, inteligjencën, dramacitetin realizuar në portrete e kompozime.
Ky prezantim vjen i ndarë në tri periudha në vitet 1920, ku kuratori ka preferuar ta nisë me një portret të lirikut të shquar Lasgush Poradeci.
Intensitetin më të lartë e mbart salla e dytë ku vjen figura femërore në periudhën e realizmit socialist.
Figura femërore vjen e plotë në këtë ekspozitë, me gjithë dimensionin e saj e shtrirë në historinë shqiptare shpjegon kuratori Artan Shabani.
Kuratori e ka nisur ekspozitën në mënyrë atipike, me një portret të Lasgush Poradecit realizuar në vitin 1923. Suzana Varvarica prezantohet me një krijim të vitit 1989, e cila asokoho u ndalua.
Edhe Lek Tasi gjatë krijimtarisë së tij ka prekur elementin femëror, gjithnjë duke pasur një thellësi mendimi, në këtë rast sjell rivalitetin në art gati në kufijtë e tragjikes.
Ekspozita e cila është hapur më 4 shkurt do të qëndrojë deri më 30 prill 2019 për publikun në rezidencën e Italisë, në Tiranë. Vizitorët duhet të prenotojnë online në faqen e ambasadës italiane, për të parë nga afër këtë koleksion pikturash.