Filmi “Streha mes reve” me skenar dhe regji nga Robert Budina është pjesë e garës zyrtare në “Fajr International Film Festival” në Teheran, Iran. Filmi shqiptar konkurron për filmi më i mirë, mes realizimeve të tjera të huaja kinematografike. Për regjisorin Robert Budina “Fajr International Film Festival” është një nga festivalet më të mëdhenj të Lindjes së Mesme. “Filmi është në garën zyrtare të këtij festivali dhe konkurron për filmi më i mirë. Ky është një nga festivalet më të mëdhenj në Lindjen e Mesme dhe është shumë e rëndësishme, sepse zhvillohet në Iran, ku kinemaja iraniane ka rreth 30 vjet që është në majat e kinemasë botërore. Në atë festival marrin pjesë të gjithë regjisorët iranianë dhe është shumë i ndjekur edhe nga kritika iraniane, por edhe ajo botërore. Kanë dhe një juri me emra të njohur në kinematografisë botërore”, tregon regjisori Robert Budina. Festivali këtë vit zhvillon edicionin e 37 nga data 18 deri më 26 prill në Teheran. Filmi shqiptar “Streha mes reve” deri tani ka marrë pjesë në disa festivale. Për regjisorin e njohur Robert Budina festivali ka rëndësi dhe për faktin se aty janë dhe distributorë të rëndësishëm. Por gjatë ditëve të festivalit ku Budina do të jetë vetë prezent ai shprehet se do të zhvillohen dhe takime për filmin. “Fajr International Film Festival” i takon atyre festivaleve shumë të mëdhenj dhe me shumë influencë në shitjen e filmit, por kjo është e rëndësishme, sepse aty ka distributorë dhe ka njerëz që janë të interesuar për ta shpërndarë filmin nëpër territore të ndryshme, dhe ky është suksesi i madh. Unë do të rri një javë atje në festival, sepse jo vetëm prezantohet filmi, por zhvillohen dhe workshope për temat e filmit me njerëz, me studentë, pra është çdo ditë me disa takime”, vijon të tregojë më tej regjisori Robert Budina. Më herët filmi “Streha mes reve” i regjisorit Robert Budina ka fituar çmimin Global Vision Award në Cinequest Film Festival.