Shtëpia filmike ku lindi filmi shqip në Kosovë

Tuesday, 20 August 2019 15:03

Nga Dionesa EBIBI

Kur përmendet emri i “Kosovafilmit” të gjithëve u dalin parasysh filmat e parë të prodhuar në Kosovë, që mbajtën të mbërthyer publikun para ekraneve dekada më parë. Nën emblemën e kësaj shtëpie filmike u prodhuan shumë filma, që sot janë themeli i kinematografisë kosovare. E përmes tyre u bënë të njohur e të vlerësuar filmbërësit e aktorët më të mirë të asaj kohe. Kjo e bën rolin e “Kosovafilmit” të pakrahasueshëm me ndonjë institucion tjetër kulturor. Për rrugëtimin e kësaj shtëpie filmike gazetës “Zëri” i ka folur Gani Mehmetaj, drejtor i “Kosovafilmit”, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kohët e arta të “Kosovafilmit”

“Kosovafilmi”, i themeluar më 24 shkurt të vitit 1969, nga Kuvendi i Kosovës, ishte shtëpia kryesore në vend për prodhimin dhe distribucionin e filmave artistikë, dokumentarë, të metrazhit të shkurtër dhe të animuar. Kjo shtëpi realizoi mbi 35 filma artistikë, dokumentarë dhe të animuar.

Me realizimet kinematografike “Kosovafilmi” mori pjesë në shumë festivale ndërkombëtare. Disa nga filmat u vlerësuan me çmime të rëndësishme. Sektori i distribucionit importoi mbi 200 filma artistikë, kryesisht filma perëndimorë, madje spektakle-hite nga SHBA-ja, që janë shfaqur në ish-Jugosllavi. Deri më 2006-n “Kosovafilmi” i realizoi të gjithë filmat artistikë, dokumentarë e vizatimorë në 35 mm.

I pari i shtëpisë filmike, Gani Mehmetaj, për gazetën “Zëri” ka folur në detaje për historinë e kinematografisë në Kosovë, histori të cilën ai po ashtu e ka përmbledhur edhe në veprën e tij të fundit “Sharmi i Filmit”. Mehmetaj e ndan në periudha historinë e kinematografisë kosovare. Sipas tij, kinematografia në Kosovë dhe në territoret shqiptare, në ish-Jugosllavi, ka filluar më së voni në Ballkan.

Drejtor i parë i “Kosovafilmit” ishte Abdurrahman Shala, një emër i njohur i aktrimit, që realizoi dhjetëra role në filmat artistikë në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi. Pastaj në krye të “Kosovafilmit” u vu Azem Shkreli, shkrimtar, intelektual dhe producent i njohur, me të cilin lidhet jo vetëm e gjithë prodhimtaria e pavarur e kinematografisë shqiptare në Kosovë, pra produksioni i “Kosovafilmit”, por edhe një frymë e re kombëtare në artin e shtatë, siç e quan Gani Mehmetaj. Ai konsideron se Shkreli i dha vulë kësaj shtëpie. Në këtë periudhë i bënë filmat e tyre të karrierës Besim Sahatqiu, Ekrem Kryeziu, Agim Sopi, Ismail Ymeri, Isa Qosja e Emin Halili. Pastaj një kohë drejtor i “Kosovafilmit” u bë edhe aktori dhe regjisori Xhevat Qorraj.

Rilindja e kinematografisë kosovare pas vitit 1999

Gani Mehmetajt thekson se paslufta kinematografinë e Kosovës e gjeti gati krejtësisht të rrënuar me teknologjinë filmike të shkatërruar ose të vjedhur, me mungesën e theksuar të mjeteve materiale, që do ta stimulonin zhvillimin e prodhimtarinë kinematografike. Pos “Kosovafilmit”, Mehmetaj njofton se atëkohë janë paraqitur edhe disa shtëpi filmike private, por që kryesisht realizuan filma dokumentarë me teknikë digjitale a televizive, me studentë e kineastë të rinj. “Kosovafilmi” realizoi 35 filma artistikë, dokumentarë, vizatimorë e të metrazhit të shkurtër. Por shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe masat ushtarake ndikuan që edhe prodhimtaria filmike të ndërpritet gati plotësisht. Xhirohej tek-tuk ndonjë film televiziv a dokumentar në mënyrë ilegale, sepse ‘Kosovafilmi’, e vetmja shtëpi filmike, u vu nën masat e dhunshme. Dhjetë vjet nuk u realizua asnjë film artistik në 35 mm. Tre vjet pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe pas konsolidimit të institucioneve Ministria e Kulturës dha mjete për realizimin e vetëm një filmi artistik në vit”, u shpreh Mehmetaj. Kjo periudhë e pasluftës sipas Mehmetajt karakterizohet me filmat si “Kukumi”, prodhim i vitit 2005, me regji të Isa Qosjes dhe me skenar të Mehmet Krajës, producent Gani Mehmetaj, ishte produksion i “Kosovafilmit”, që i takon prodhimeve të pasluftës. Ai më tutje vazhdon të përmendë edhe “Etjet e Kosovës” të vitit 2006, me skenar dhe me regji të Sunaj Racës, një dramë për luftën e fundit dhe pasojat e saj. Pastaj “Anatema”, e vitit 2006, me skenar dhe me regji të Agim Sopit, po ashtu një dramë për luftën e fundit.

Filmat dokumentarë dhe vizatimorë të “Kosovafilmit”

Në periudha të ndryshme historike në Kosovë janë prodhuar filma të zhanreve e të metrazheve të ndryshme, por i pari i “Kosovafilmit” konsideron se vitet e ’70-ta mund të veçohen. Ai foli veç e veç për secilin prodhim, sipas tij “Kosovafilmi”, krahas filmave artistikë, bëri edhe disa filma dokumentarë të animuar dhe të porositur. “Një lindje” (1968), me regji të Ekrem Kryeziut, “Bukë e kryp e zemër” (1975), në regji të Besim Sahatçiut, “Brigadat kosovare” (1977), me regjisor Ekrem Kryeziun, “Shota” (1977), regjisor Azem Shkreli, bënë prezantimin dokumentar të Ansamblit të Valleve, që ishte më i njohuri në Kosovë. Filmi dokumentar i metrazhit të mesëm “117”, prodhimi i vitit 1978, sipas skenarit dhe regjisë së Besim Sahatçiut, është ndër realizimet më atraktive dhe më interesante, që është xhiruar në Kosovë. “Pikë në gurë” (1979), regjisorë Azem Shkreli e Gani Bobi, është një regjistrim interesant ekzotik i sektit të rubaive, në natën e shënuar të tyre me lojën mistike e orientale. “Dita e mërgimtarëve”, regjia e Ekrem Kryeziut, viti i prodhimit 1980. “Tepricat”, i vitit 1981, me regji dhe me skenar të Ekrem Kryeziut, u laurua me “Diplomë Speciale për Regji” në Festivalin e Filmit në Beograd. “Ngjyra dheu”, prodhim i vitit 1983, në regji të Fahri Hysaj, një regjistrim atraktiv dhe i qëlluar, i ambientit të punës së një krijuesi. “Doket dhe zakonet e shqiptarëve në Mal të Zi”, film dokumentar me regji të Emin Halilit, bëri një shpalim interesant të një bote shqiptare që po vdes, sepse zakonet, mënyra e jetesës, dalëngadalë ia lëshojnë rrugën modernes. “Na ishte dikur ‘Kosovafilmi’” i vitit 2003, në regji të Isa Qosjes. Filmi bëri një rekapitullim të shtëpisë filmike, një shtëpi e suksesshme që pati baticat dhe zbaticat e veta, që realizoi disa nga filmat më të suksesshëm të kinematografisë shqiptare në Kosovë., por që njëkohësisht pushoi së vepruari për një kohë, në mungesë të mjeteve materiale. “Matanë rrugës”, prodhim i 2009-ës, sipas skenarit të Yll Çitakut, bashkëprodhim i “Kosovafilmit”, është një film në kufijtë e eksperimentimit, që shquhet me fotografi të mirë e me pamje atraktive. “Kur pranvera vonohet” dhe “Njeriu prej dheut” kanë thyer rekordin e shikueshmërisë. Kurse në filmat e produksionit të pavarur rendin filmat, “Uka i Bjeshkëve të Nemuna”, në regji të Miomir Stamenkoviqit dhe asistent Ekrem Kryeziu, konsiderohet si njëri ndër filmat më të vjetër kosovarë. Ky film është realizuar në vitin 1968. Filma të tjerë të paharruar janë edhe “Si të vdiset”, prodhim kosovar i vitit ’72 ose “Era dhe Lisi”, që është filmi i parë artistik shqiptar i Kosovës, ku regjisori, skenaristi, producenti, kameramani, kompozitori e aktorët janë shqiptarë. Ky film u cilësua si fazë e re e kinematografisë shqiptare.

Kësaj liste i shtohen edhe filmat “Kur pranvera vonohet”, në regji të Ekrem Kryeziut dhe me skenar të Azem Shkrelit, “Lepuri me pesë këmbë”, në regji të Ismail Ymerit e producent Rifat Kukajt, “Njeriu prej dheu”, i vitit ’84, në regji të Agim Sopit, “Proka”, në regji të Isa Qosjes, “Pikniku”, në regji të Emin Halilit, “Rojet e Mjegullës” i Isa Qosjes, “Vjeshta e trëndafilave” e Agim Sopit dhe “Kur shpirti ndërron jetë”, në regji të Ismail Ymerit. Shumë prej këtyre konsiderohen si filmat nismëtarë të historisë së filmit në Kosovë, prodhime të cilat sot e kanë vetëm kopjen në vendin e krijimit, pra në Kosovë. Zëri

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...