Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, gjatë vizitës së tij në Kosovë ku po mbledh informacion mbi përparimet që ka bërë vendi sa i përket liberalizimit të vizave, ka thënë se e kupton që ka pritje të mëdha për heqjen e vizave pas ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi.
Ai ka shtuar se nuk duhet fajësuar vetëm BE-ja për vonesën e heqjes së vizave pasi sipas tij Kosova këtë është dashur ta kryejë para dy viteve me Gjeorgjinë e Ukrainën. Soltes ka thënë se personalisht është duke e bërë më të mirën për Kosovën dhe kjo do të vërehet mjaft qartë në raportin që do të publikohet.
“Ne nga Parlamenti Evropian jemi në favor të Kosovës për heqjen e vizave por kjo varet edhe nga raportet tjera që përgatiten. Qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar por edhe reforma në sistemin gjyqësor dhe pavarësia e prokurorëve janë tema më rëndësi që janë diskutuar lidhur me liberalizmin e vizave”, tha ai para mediave kosovare.
Soltes theksoi se edhe transparenca në institucionet publike është një çështje e rëndësishme. Lidhur me premtimet e liderëve shtetërorë se liberalizmi i vizave do të ndodhë shumë shpejt, gjatë këtij viti, Soltes ka thënë se të gjithë janë në përpjekje për plotësimin e kërkesës për vizat dhe kjo të ndodh në muajt vijues.
“Pritjet janë shumë të mëdha, por siç e dini kjo nuk varet nga Parlamenti Evropian. Sinqerisht shpresojë që vërtet do të ndodh deri kah fundi i këtij viti”, përfundoi ai.